Shqiptarët e bllokuar në pikat kufitare, Meta: Duhet zgjidhje e shpejtë

Prishtinë | 02 Pri 2020 | 20:35 | Nga Ekonomia Online

Presidenti shqiptar Ilir Meta ka shprehur shqetësimin e tij për “situatën e qytetarëve shqiptarë të cilët ndodhen të bllokuar në pikat e kalimit kufitar me Greqinë dhe Malin e Zi”.

“Situata e pritjes së tyre në kufirin shqiptar dhe pengesa që po hasin kërkon një zgjidhje të shpejtë. Autoritetet shqiptare përgjegjëse të informojnë pa vonesë qytetarët tanë mbi gjendjen dhe procedurat e reja që duhen respektuar në pikat tona kufitare, të imponuara nga pandemia Covid-19, në mënyrë që të mos krijohen grumbullime të pamenaxhueshme”.

“Në të mirë të të gjithëve, shtetasit tanë duhet të jenë në komunikim të vazhdueshëm me ambasadat dhe konsullatat tona, si dhe të evitojnë maksimalisht lëvizjet jashtë kushteve të urgjencës dhe domosdoshmërisë”.

Meta përmes një postimi në Facebook ka bërë thirrje për bashkëpunim mes qytetarëve dhe autoriteteve përgjegjse që të tejkalohet kjo situatë, shkruan A2 CNN.

“U bëj thirrje të gjithëve që, duke forcuar bashkëpunimin midis qytetarëve dhe autoriteteve përgjegjëse në këtë situatë të vështirë, të tregojmë mirëkuptim e bashkëpunim, por veçanërisht solidaritet dhe përgjegjshmëri të lartë për të kapërcyer me sa më pak kosto këtë sfidë të jashtëzakonshme”.

Të ngjashme