Shqiptarët dhe bullgarët, ndonëse jetojnë bashkërisht në Ballkan, dikur edhe në fqinjësi të drejtpërdrejtë, përsëri raportet ndërmjet tyre deri në vitet ‘90 të shekullit të XX, rrallë ishin objekt i ndonjë studimi më të thellë, ashtu siç ishin studimet mbi raportet shqiptaro-serbo/malazeze (1830-1878) të studiuesit Sadulla Brestovcit e të dr. Zekeria Canës, apo raportet shqiptaro-malazeze (1881-1914) të dr. Isa Bicaj, ose ato mbi raportet shqiptaro-greke (1829-1881) të dr. Shkelzen Raçës.
Shkaqet e këtij interesimi të vogël të studiuesve, përpos të tjerave, ishin se me krijimin e shtetit të cunguar shqiptar, hapësira e tyre etnike jo vetëm që u copëtua, por ata edhe u defaktorizuan, duke u lënë kështu “me qëllim” në periferi të ngjarjeve në Ballkan dhe në Evropë, shkruan sot Koha Ditore.
Natyrisht, pozita e Shqipërisë si shtet dhe shqiptarëve si tërësi, filloi të forcohej me daljen e Shqipërisë nga Pakti i Varshavës më 1961 dhe përfundimisht më 1968, si dhe me procesin e afirmimit kombëtar të shqiptarëve në ish-RSFJ, dhe vendosjen e themeleve institucionale të Kosovës me Kushtetutën e vitit 1974. Që nga kjo kohë interesimi për shqiptarët fillon të rritet, me çka rrjedhimisht shtohen edhe botimet lidhur me marrëdhëniet e shqiptarëve dhe bullgarëve.