Thaçi, Veseli dhe Mustafa kanë reaguar me vonesë për ngjarjet në Maqedoni. Nga reagimet e tyre vlerësohet se i lanë vetëm deputetët shqiptarë në Shkup.
Ngjarjet në Maqedoni nuk kanë shqetësuar aq shumë liderët e shtetit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë. Derisa disa reaguan me vonesë, të tjerët liderë reaguan tek një ditë pas sulmit mbi deputetët dhe gazetarët në Kuvendin e Maqedonisë.
Të premten ka qenë lideri i LVV-së Albin Kurti ai që në një konferencë për medie ka kritikuar liderët institucionalë për mosreagim ndaj situatës në Maqedoni pas zgjedhjes kryetar i Parlamentit maqedonas të shqiptarit Talat Xhaferi. “Mustafa nuk reagoi hiç, ndërsa siç reaguan Thaçi e Veseli, më mirë të mos kishin reaguar fare”, ka thënë Kurti.
Sipas tij nuk mund të dënohet dhuna në përgjithësi kur dihet me emër e mbiemër nga kush erdhi ajo dhunë. “Ky është momenti kur Prishtina dhe Tirana duhet ta intensifikojnë bashkëpunimin dhe komunikimin me partitë shqiptare atje, si dhe me deputetët shqiptarë. Prishtina i la vetëm deputetët shqiptarë në Shkup, në momentin kur dihet se Gruevski dhe Ivanovi e kanë kapur ushtrinë dhe policinë.
Kjo u pa edhe mbrëmë se sa vonë ndërhynë ata”. Kurti ka theksuar se shqiptarëve nuk u lejohet të udhëheqin.
“Shqiptarët lejohen në përbërje të institucioneve, por jo edhe të prijnë, jo edhe të jenë udhëheqës. Shumica e votuan Talat Xhaferin, por ai u dënua nga foltorja e tij”.
Kurse kryeministri i vendit Isa Mustafa pasdite me anë të një statusi në llogarinë e tij në “Facebook” ka uruar Talat Xhaferin për zgjedhjen në postin e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë.
“Uroj zgjedhjen e z. Talat Xhaferit kryetar i Kuvendit të Maqedonisë. Maqedonia është e qytetarëve të saj shqiptarë aq sa është edhe e maqedonasve dhe të tjerëve”, ka shkruar ai duke shprehur besim se Maqedonia si shtet fqinj i Kosovës do t’i konsolidojë institucionet e saj demokratike duke respektuar të drejtat e barabarta për të gjithë qytetarët e saj.