Ilia Murzaku, sot 86 vjeç, flet një shqipe të kulluar, edhe pse prej 64 vitesh jeton në Rumani. Në vitin 1959 u zhvendos nga Shqipëria në Bukuresht me nënën dhe dy motrat e tij. Deri në atë moment jeta nuk kish qenë e lehtë për ta, pasi më herët Ilia kish humbur babanë dhe vëllanë, i pari dy javë pasi doli i pafajshëm nga burgu ku u mbajt për një vit si i dyshuar për bombën e vendosur tek ambasada ruse në Tiranë në vitin 1951, ndërsa vëllai pak kohë pasi kish shkuar tek ca të afërm në Rumani, si pasojë e një sëmundjeje.
Duke qenë se i ati, shkolluar në Rumani dhe ish-punonjës i ambasadës rumune në Tiranë para komunizmit, mbante pasaportën rumune, e gjithë familja mori gjithashtu të drejtën e shtetësisë, të cilën do ta shfrytëzonin atëherë kur u nevojitej.
“Në vitin 1959, qeveria rumune e asaj kohe dha një urdhër që të gjithë shtetasit rumunë mund të riktheheshin të jetonin në Rumani. Atëherë ne shkuam menjëherë në ambasadë, por na duhej dhe një miratim që shteti shqiptar na lejonte të iknim, më saktë ministria e Brendshme. Nuk na ndaluan të iknim”, thotë në një intervistë për DW.
Ndalesa e parë e familjes Murzaku do të ishte qytet-porti i Konstancës në Rumani, aty ku ndër shekuj zbarkonin shqiptarët e Rumanisë. “Ne erdhëm me vapor rus. Atëherë isha basketbollist, luaja me Tiranën, ish 17 Nëntorin. Kuzhinierja e tragetit na thoshte: Hani! Se ne ishim shumë të dobët. Gjatë udhëtimit ndaluam në Pire të Greqisë. Aty pushuam 5-6 orë, duke gjezdisur dhe parë dyqanet. Para se të nisesha kisha bërë një palë këpucë me porosi, por kur pashë ato dyqane, këpucët e mia dukeshin si opinga”, tregon mes nostalgjisë Ilia.
Diferenca Shqipëri-Rumani dikur ishte, si Rumani-Amerikë
Me të mbërritur, autoritetet vendase i pyetën nëse donin të vendoseshin në Konstancë apo në Bukuresht. Familja zgjodhi Bukureshtin, pasi varri i të vëllait ishte aty. Ca vite më vonë, në 1966-ën do të tërhiqnin edhe eshtrat e të atit. Ajo do të ishte dhe hera e fundit kur Ilia do të vizitonte Shqipërinë, deri në rikthimin pas viteve ’90.
Ikja nga një shtet në diktaturë, në një tjetër vend diktatorial, kishte sa ngjashmëri, aq edhe ndryshime sipas Ilias.
“Ato vite edhe këtej sapo kish nisur diktatura. Diferenca Shqipëri-Rumani dikur ishte, si Rumani-Amerikë. Këtej i gjetëm dyqanet plot. Ndërsa në Tiranë kishim bukën me racion. Nëna ime merrte 400 gramë bukë dhe ma jepte mua racionin e saj. Bëje hesap vetë. Ishte krizë e madhe. Ndërsa këtu nisëm të visheshim, të mobilonim shtëpinë, udhëtonim edhe në vende demokratike”, thotë ai.
Integrimin nuk e pati të vështirë, pasi shpejt u regjistrua në Institutin e Fizkulturës në Bukuresht dhe mësoi dhe gjuhën rumune. Më vonë u njoh edhe me një vajzë rumune, që u bë më pas gruaja e tij.
Edhe për të zënë miq, nuk ishte aspak e vështirë, sepse siç thotë Ilia, në ato vite gëzohej respekt për shqiptarët dhe komunitetin shqiptar. “Ka qenë një organizatë shqiptare e mirëorganizuar. Kishin Shtëpinë e tyre të Kulturës. Mblidheshim, këndonim, madje këndonim dhe këngë patriotike të vjetra. Kishte çifte të përziera dhe partnerët rumunë mësonin këngët tona. Atëherë komuniteti ka qenë shumë më i madh, ndërsa tani nuk flasin as gjuhën”, shprehet Ilia.
Për Ilian, mallin e Shqipërisë, aty ku nuk mund të udhëtohej më pas izolimit gjatë diktaturës, e shuanin takimet me grupet e sportistëve shqiptarë që vinin në Bukuresht. Ai i shoqëronte ato në ndeshjet dhe vizitat që kryenin, duke praktikuar në këtë mënyrë edhe gjuhën shqipe. Ai u rikthye në Tiranë në vitin 1991, përmes rrugës tokësore, ku gjëja e parë që i ra në sy ishin bunkerët, rrugët me gropa dhe malet e shpyllëzuar.
Ngjashmëri në kulturë dhe gjuhë
Renata Topçiu u rrit duke folur shqip dhe rumanisht. Prindërit e saj u njohën në Bukuresht, kur i ati, me origjinë nga Korça ishte student mjekësie, dhe e ëma, rumune nga Bukureshti, studente e Filologjisë, në degën Frengjisht-Rumanisht. Ata u martuan në vitin 1958 dhe më pas vendosën të jetonin në Shqipëri.
“Është pak e ndryshme fëmijëria kur njëri nga prindërit është i huaj. Bëhesh fëmijë dy-gjuhësh. Është pasuri e vërtetë, sepse gjuha që mëson në fëmijëri bëhet pronë e jotja, e cila arrin në të njëjtin nivel me gjuhën e vendit ku ke lindur dhe je shkolluar dhe të hap një dritare tjetër, për të njohur një kulturë tjetër”, thotë Renata për Deutsche Welle.
Nga kujtimet e fëmijërisë në Shqipëri, ajo mban mend vitet e vështira të nënës, kur vendi u izolua dhe kufijtë u mbyllën. “Gjyshja ime ia doli që të vinte në Shqipëri që të shikonte nipin dhe mbesat, por nënës sime nuk i jepej viza për të dalë nga Shqipëria. Gjyshja ime gjithmonë i drejtohej me një letër direkte Enver Hoxhës, ku i shkruante: Unë jam nëna e një vajzë ia kam falur Shqipërisë, dhe ajo ka tre fëmijë. Unë jam shumë e pasur por duhet ta gëzoj këtë pasuri, që janë nipi dhe mbesat e mia. Dhe gjyshja ime pas kësaj letre mundi të vinte në Shqipëri dhe mund të ketë ardhur dy-tri herë gjithsej. Kështu që ne nuk e kemi ndjerë aq shumë mungesën e gjyshes sepse ajo vinte. Letra përsëritej një herë në dy-tre vite. Mesa duket dikush vinte dorën në zemër dhe ajo vinte tek ne, ku rrinte 3,4, 5-6 muaj”, kujton Renata.
Vetë Renata vizitoi për herë të parë Bukureshtin dhe familjen e kushërinjtë e së ëmës në vitin 1991. Dy vite më pas, u ftua për një kurs vere dhe pastaj u vendos në Rumani, ku nisi të jepte mësimin e gjuhës shqipe, pas hapjes së katedrës së gjuhëve ballkanike në universitetin e Konstancës. “Nuk kisha asnjë problem të përshtatesha sepse njihja gjuhën dhe psikologjinë e popullit rumun, që është shumë e afërt me atë të popullit shqiptar. Nuk ndihesha aq e huaj këtu. Rumania kishte në ato vite shumë ngjashmëri me Shqipërinë, sepse të dyja kishin dalë nga sistemi komunist, përjetimet ishin të njëjta, shpresat ishin të njëjtat. Edhe pse duhet ta them që Rumania ishte shumë përpara nga ana e nivelit akademik, nga pikëpamja e kulturës, e gjuhësisë etj”, thotë Renata.
Krijimi i fjalorit të parë Shqip-Rumanisht
Duke jetuar dhe punuar në Rumani nisi të studionte dhe më thellësisht ngjashmëritë mes dy gjuhëve.
“Ngjashmëritë mes shqipes dhe rumanishtes janë të befasueshme. Sepse ato kanë të bëjnë me strukturën e gjuhës. Nuk janë ngjashmëri sipërfaqësore, pra jo vetëm që ka shumë fjalë të përbashkëta mes shqipes dhe rumanishtes që gjenden në gjuhët e tjera, por ka shumë shprehje frazeologjike të përbashkëta, ka shumë struktura fikse të përbashkëta”.
Puna si lektore e gjuhësisë bëri që ajo të ndihmonte dhe të ëmën, Ana Melonashi, që të finalizonte ëndrrën dhe punën disa-vjeçare të krijimit të fjalorit të parë Shqip-Rumanisht. “Fjalori ka qenë një nismë e nënës sime kur unë hyra në fakultetin e Filologjisë. Kur e pa që unë hyra përfundimisht në këtë rrugë, ajo mendoi të bënte një fjalor që i mungonte si leksikografisë shqiptare, ashtu edhe leksikografisë rumune. Kontributi i parë i përket asaj. Pastaj më vonë kontributi im dhe i bashkëshortit tim është sepse ne e kompletuam, e përgatitëm për botim. Zgjati shumë i gjithë procesi. Mamaja punoi nja 4-5 vjet dhe unë e ndihmova kur isha studente. Një punë shumë-vjeçare, të paktën rreth 20-vjeçare. Ishte një shpërblim i jetës së saj. Tani ne po punojmë për fjalorin e dytë”, thotë Topçiu. /DW