Shqiptarët emigrantët më të mëdhenj në rajon, shkak mungesa e perspektivës

Prishtinë | 10 Maj 2024 | 14:31 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Mungesa e politikave zhvillimore e perspektives, konsiderohen si shkaktarët kryesor të migrimit të shqiptarëve nëpër botë. Kështu u tha në tryezën e organizuar nga Instituti Nacional Demokratik Shqiptar (INDSH) me temën “Shqiptarët në zhvillimet e reja Rajonale dhe Globale”, raporton Ekonomia Online.

Aty u tha se shqiptarët nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut, konsiderohen se janë emigrantët më të mëdhenj në rajon.

Kryetari i Këshilltarëve Demokrat në Bashkinë e Tiranës, Ilir Alimehmeti, tha se kombi shqiptar ka një problem të madh me ikjen e të rinjve.

Ai tha se qeveritë duhet që politikat t’i drejtojnë drejtë brezit të ri.

“Kemi një problem të madh brenda kombit, kemi një problem të madh me të rinjtë. Breng më e madhe se sa shpopullimi i tokave shqiptare nuk ka. Nga Shqipëria thonë kanë ikur 800 mijë vetë, 1 milion del totali sepse janë edhe jashtë Evropës. E dyta është lindshmëria, e ardhmja do të thotë fëmijë dhe rini. Nëse ne politikat nuk i drejtojmë drejtë brezit të ri atëherë ne kemi një problem. Neve na ikin 10 mijë 18 vjeçarë çdo shtator për studime në Evropë. Njerëzit nuk ikin se janë mirë nga viset e tyre. Unë jetoj në atë panikun që nëse ne nuk bëjmë diçka vajza ime pas 5 vitesh mund të ik. Të rinjtë tanë janë edhe të painformuar edhe të dezinformuar për çështje madhore. Themi që fajin e ka rinia, rinia nuk angazhohet, ikë dhe rinia ndjek modele negative dhe pastaj harrojmë që gabimin e kemi tek udhëheqja, tek mësimdhënia, ndoshta po japim ne modele negative kësaj rinie, ndoshta nuk po ofrojmë zgjidhje”, tha ai.

E deputeti i pavarur, Haki Abazi, tha se në trojet shqiptarë duhet që të vendoset drejtësia si pjesë e konceptit institucional shtetëror.

Ai tha se çështja dyte e rëndësishme është rivendosja e demokracisë në shoqëri, kjo pasi sipas tij, parlamenti në Shqipëri dhe Kosovë janë dy shembujt më të këqij të mungesës së debatit konstruktiv përmbajtësor e demokratik.

“Një aspekt që mendoj që duhet të përcaktohet si prioritet në shoqërinë tonë shqiptare është çështja e drejtësisë. Ne bëjmë para, jemi biznesmen të suksesshëm, dimë edhe të kërkojmë vota, bëhemi edhe politikan, ndonjëherë marrim edhe me qira ata të mençurit që na mësojnë se si te flasim në publik. Por sikur e kemi mërzi idenë që duhet të vendosur një here e përgjithmonë sistemi i drejtësisë në shoqërinë tonë”.

“Unë e kam në hall që as Shqipëria, as Kosova, as Maqedonia e Veriut e as shqiptarë ne Luginën e Preshevës nuk e përjetojnë dorën e drejtësisë si sistem.  Përgjigja për ikjen është se këtu vështir vendoset drejtësi në të gjitha nivelet e mundshme. Mandej ta lë aty e të kthehem të çështja e prioritetit të dytë të rivendosjes së demokracisë në shoqërinë tonë. Njerëzit janë  të përjashtuar nga diskursi publik. Duhet ta rimarrim hapësirën e diskutimit debatit demokratik. Parlamenti në Shqipëri dhe Kosovës janë dy shembujt më të këqij të mungesës së debatit konstruktiv përmbajtësor, demokratik në shoqëritë tona”, tha Abazi.

Të ngjashme