Bisedimet për zgjidhjen e çështjes së emrit mes Qeverisë greke dhe asaj maqedonase janë në fazën më sensitive kur tashmë duhet të vendoset diçka para Samitit të NATO-s që do të mbahet në muajin korrik në Strasburg të Francës.
Kryeministri Zoran Zaev së fundmi përmendi edhe ndryshimet kushtetuese si të mundshme, por duke i lidhur ato me kohën kur sovraniteti i shtetit të bartet tek Bashkimi Evropian, shkruan gazeta KOHA.
“Ndoshta zgjidhja përfundimtare do të jetë e lidhur me votimin e qytetarëve Maqedonisë, duke i dhënë sovranitetin tonë Bashkimit Evropian, ku dëshirojmë të anëtarësohemi dhe atëherë hapet edhe Kushtetuta. Ndoshta këtu është zgjidhja, për shkak se siç e dini, Greqia kërkon edhe ndryshimin e Kushtetutës për ndryshimin e emrit kushtetues… Zoran Zaevi dhe Aleksis Cipras mund t’i shtrijnë duart dhe të arrijnë marrëveshje, por institucionet janë ato, të cilat e nxjerrin qëndrimin përfundimtar, sikur edhe qytetarët e të dy vendeve”, theksoi Zaev për Radion Evropa e Lirë. Por në gjithë këtë proces nuk mund të mos vërehet heshtja totale e faktorit politik shqiptarë që të flet me një zë karshi bisedimeve direkte për zgjidhjen e çështjes së emrit. Ndërkaq emri që po flitet në qarqe politike dhe në media “Gornamakedonija”, nuk ka ndonjë qëndrim të qartë të faktorit politik shqiptarë nëse është përjashtues ndaj etnitet shqiptar në Maqedoni kur duket se të gjithë synojnë barazinë e shqiptarëve me maqedonasit.
Analisti politik Ibrahim Mehmeti mendon së është jo produktive qëndrimi anash i faktorit politik shqiptarë.
“Sa i përket bisedimeve rreth çështjes së emrit, mendoj se tani që afrohet data e përmbylljes, del se çështjet kryesore dhe më sensitive në fakt kanë mbetur pa u shtjelluar, andaj kemi edhe tone jo aq optimiste. S’do mend se Greqia është palë negociuese me shumë eksperiencë diplomatike dhe të gjithë ata në Maqedoni që mendonin se gjithçka do të shkojë lehtë, padyshim se do të zhgënjehen. Nga ana tjetër, është joproduktive që faktori politik shqiptarë qëndron anash në këtë proces, sepse mund të ndodhë që të kemi rezultat, i cili do të ishte problematik për shqiptarët”, thekson Ibrahim Mehmeti.
Ai ka shpresë se kryeministri Zaev është i vendosur të gjendet një zgjidhje, por çështja është, siç thotë ai, a do të ishte e pranueshme për shqiptarët që janë pjesë aktive e vendimmarrjes politike.
“Sidoqoftë, vendosmëria e kryeministrit megjithatë tregon shpresa se mund të kemi zgjidhje, e cila do ta mundësonte anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, por sërish mbetet të shihet se cila është kjo zgjidhje dhe sa ajo do të ishte e pranueshme edhe për komunitetet që nuk janë shumicë, e para se gjithash për shqiptarët, të cilët janë pjesë aktive në vendimmarrje. Ndoshta do të kishte qenë e udhës që politikanët shqiptarë të konsultohen me njerëz të shkencës që të kenë qëndrim më të qëndrueshëm kur të vijë në rend dite përmbyllja e kësaj çështjeje”, thotë Ibrahim Mehmeti.
Profesori universitar, Bashkim Selmani, mendon se pavarësisht faktit nëse Greqia do të lëshojë pe apo jo në rrafshin politik të zgjidhjes së çështjes së emrit, shqiptarët në këtë mes, sipas tij, janë të anashkaluar dhe më të dëmtuar. “E para është çështja politike në nivel ndërkombëtarë. Edhe pse duket afër zgjidhja, realisht është komplekse në të cilin rast palët bashkëbiseduese gjejnë vakum kohor në çështjen juridike dhe atë kushtetuese për të mos zgjidhur kontestin politik. E dyta është Greqia ajo që kushtëzon dhe siç duket – nuk është e gatshme për të bërë zgjidhjen e duhur për sa i përket këndvështrimit politik. Por, edhe sikur të ketë apo mos të ketë zgjidhje për çështjen faktike – shqiptarët në këtë mes janë më të anashkaluar dhe më të dëmtuar”, thekson Selmani. Ai thotë se pa zgjidhje politike nuk mund të ketë kompromis juridiko-kushtetues.
“Çështja juridiko-kushtetuese për këtë periudhë kohore duke u bazuar në numrin e votave të Parlamentit realisht është diskutabile. Prandaj të dyja këto çështje janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe pa zgjidhjen politike nuk mund të ketë as kompromis juridiko-kushtetues, edhe pse faktori ndërkombëtarë po bën presione ndaj palës greke, e cila gjithmonë ka fituar nga fqinjët e saj”, thotë Selmani. Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela ndërkohë vë në dilemë angazhimin e partisë shqiptare në pushtet – BDI, në zgjidhjen e çështjes së emrit duke qenë kritik ndaj liderit të saj, Ali Ahemti se nuk thërret tryezë të rrumbullakët për të unifikuar qëndrimin e faktorit politik shqiptar rreth çështjes së emrit.
“Ne kemi përfaqësues legjitim në Qeveri, të cilët nuk e dimë nëse janë të kyçur direkt apo jo në zgjidhjen e çështjes së e emrit. Ne kishim një Deklaratë politike të nënshkruar nga subjektet politike parlamentare dhe njëra ndër pikat e saj ishte unifikimi i qëndrimeve për tema të rëndësishme që prekin edhe interesin tonë si shqiptarë, edhe atë përmes organizimit të tryezave të përbashkëta gjë që nuk po ndodh tashmë një kohë të gjatë. Si lider i ASH-së i kam bërë thirrje publike liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, që për çështjen e emrit – të mblidhemi në një tryeze të përbashkët për të dalë më një qëndrim. Kjo, sepse emrin nuk e kemi gurë të hedhur, por e kemi gurë të mbirë. Fatkeqësisht, kjo nuk ka ndodhur”, tha Sela. Ai është kategorik ndaj emrit vetëm me elementin sllav pa përkthim, siç flitet për emrin “Gornamakedonija”.
“Nuk ka asgjë të keqe që në emrin e një shteti të kemi ndonjë përcaktim gjeografik. Por ne jemi kundër asaj që emri i shtetit të sllavizohet, këtë nuk duhet lejuar, sepse ndryshe është të mbetet vetëm Gornamakedonia e ndryshe të lejohet me përkthim ‘Maqedonia e Veriut’ dhe që mund të jetë i pranueshëm për ne”, thotë Sela. Për të dhe partinë e tij ajo që duhet ti shqetësojë shqiptarët është anashkalimi i gjuhës shqipe në bisedimet rreth emrit, ndërsa shton se ASH deri në fund do të insistoj që gjuha shqipe në OKB të jetë e barabartë me gjuhën maqedonase.
“Ajo që duhet të na shqetësojë neve është pozita e gjuhës shqipe në gjithë këtë proces deri në zgjidhjen e tij. Neve nuk na intereson nëse me Greqinë merren vesh për gjuhën maqedonase, por si do të përfshihet edhe gjuha shqipe. Ne si Aleancë për Shqiptarët do të insistojmë deri në fund që gjuha shqipe të përfshihet në OKB krahas gjuhës maqedonase. Ndryshe, çfarë kuptimi do të ketë sjellja e ligjit për gjuhët për të cilin bëmë shumë sakrifica”, theksoi lideri i ASH-së, Ziadin Sela.