Gola, asistime e debutime. Duele të fituara, pasime maestrale. Paraqitje dominuese e ndonjë edhe e zbehtë.
Futbollistët shqiptarë janë kudo në Superligën e Zvicrës, raporton koha. Ka kohë që futbollistët shqiptarë janë forcë në Superligën helvetike, por ndikimi i tyre po shkon duke u rritur vazhdimisht. Dhe vazhdimisht dalin emra të rinj në skenë.
“Blick” të hënën ka shkruar për shkëlqimin e Lorik Eminit të Luzernit. Ai ka fituar duelin me Taulant Xhakën, ndërsa ka luajtur në mesfushë së bashku me Idriz Vocën.
Emini e Benjamin Kololli kanë zënë vend në ekipin më të mirë të xhiros në kampionatin helvetik, që ka rifilluar pas pushimit të gjatë. Ndërkohë Mirlind Kryeziu, Hekuran Kryeziu e Orges Bunjaku nuk kanë pasur fundjavë shumë të suksesshme dhe “Blick” i ka vënë në ekipin më të dobët të javës.
Gjithsej 16 lojtarë shqiptarë kanë luajtur në fundjavë në pesë ndeshjet e Superligës së Zvicrës, që i numëron dhjetë skuadra gjithsej. Për Zuerichun kanë luajtur Toni Domgjoni, Mirlind Kryeziu, Benjamin Kololli e Hekuran Kryeziu.
Te Xamaxi luajtën Samir Ramizi, Taulant Seferi e Arbenit Xhemajli. Te Sioni u aktivizuan Pajtim Kasami e Emir Lenjani. Betim Fazliji luajti për St. Gallenin, kurse Emini e Voca te Luzerni. Orges Bunjaku, Taulant Xhaka, Lirik Vishi e Kemal Ademi ishin pjesë e skuadrës së Baselit.
Tre shqiptarë kanë qëndruar në stol, Liridon Mulaj, Arian Kabashi e Tician Tushi. Me Edon Zhegrovën, Kastriot Imerin, Lavdim Zumberin, Adonis Ajetin, Shkëlqim Demhasajn e ndonjë tjetër që ka munguar, numri rritet ndjeshëm.
Te Baseli të dielën debutoi Lirik Vishi, 19-vjeçari që luan si mesfushor ofenziv. Deri në fund të edicionit pritet të ketë të tjerë shqiptarë që do të debutojnë.