Numri i shqiptarëve që lexojnë duket se po pëson rënie. Sipas të dhënave statistikore të kulturës nga INSTAT, numri i frekuentimeve në bibliotekën më të rëndësishme në vend pothuajse është përgjysmuar gjatë vitit 2017.
Numri i frekuentimeve në Bibliotekën Kombëtare zbriti në 88 mijë, nga mbi 150 mijë që kishte qenë në vitin 2016. Ndërsa Eurostat raporton se në BE, banorët shpenzojnë mesatarisht 200 euro për frymë për libra, ndërsa rreth 20% e popullsisë janë lexues të rregullt të librave.
Në vendet perëndimore, rënia do të ishte tregues i sjelljes elektronike, që do të thotë se priren që të lexojnë në Web më tepër se sa libra fizikë, pra e-libra. Por, në rastin shqiptar e-libri nuk është shumë i pranishëm sepse, sipas përfaqësuesve të shtëpive kryesore, pirateria dhe aksesi i pakët në faqe si Amazon, janë penguesit kryesorë.
Në vitin 2016, Eurostat përllogarit se të gjitha familjet në Bashkimin Europian (BE) shpenzuan 90 miliardë euro ose 1.1% të shpenzimeve totale të tyre të konsumit në libra, gazeta dhe shkrimi. Kjo përfaqëson 0.6% të GDP-së së BE-së ose rreth 200 euro për banor të BE-së.
Nga ana tjetër, shpenzimet e familjeve për këto objekte ishin më pak se gjysma e shpenzimeve të tyre në shërbimet rekreative dhe kulturore.
Shpenzimet për libra, gazeta janë në rënie. Në vitin 1995, 1.8% e shpenzimeve totale të konsumit të familjeve në BE ishte e përkushtuar ndaj këtyre artikujve.
Në Shqipëri mungojnë statistika të qarta mbi shumën e shpenzuar për libra, gazeta etj., por shifrat sugjerojnë se konsumimi i tyre në Biblioteka ka qenë në rënie, duke pësuar përgjysmin në 2017, nga një vit më parë. Eurostat tregon se përqindja e njerëzve që lexojnë libra në Serbi, është më e lartë se në Belgjikë, Austri, Rumani apo Francë. Ndërsa kryeson listën në Europë Finlanda, pasuar nga Polonia dhe Estonia, me përqindjen më të madhe të njerëzve që lexojnë libra, përkatësisht 17%, 16.5 % dhe 15 %.
Statistika më e fundit e realizuar në Shqipëri nga Shoqata e Botuesve tregonte se në 2015, 60% e të rinjve lexojnë 1-3 libra në vit, shifër e ulët duke marrë në konsideratë se bashkëmoshatarët europianë shpenzojnë mesatarisht 200 euro në vit për libra.