“Nuk e konsideroj festivalin e Sanremo një garë, sepse nëse flitet për muzikë nuk mund të flasësh për garë. Është si të gërmosh në ujë. E pamundur!”. Janë fjalët e shqiptarit Ermal Meta që këtë herë do të debutojë mes “të mëdhenjve” të Sanremos, pasi zuri vendin e tretë në kategorinë e të rinjve, një vit më parë.
“Ka diferencë me të kaluarën dhe vëmendja e publikut është më e lartë. Njerëzit do të jenë më të afërt dhe detajet më të dukshme, por unë do të jem i kujdesshëm”, ka thënë kantautori shqiptar, për agjencinë e lajmeve “ANSA”.
Këtë vit në Sanremo ai do të prezantohet me këngën “Vietato morire” që flet për dhunën.
“Mbi gratë, mbi fëmijët dhe të gjitha qeniet njerëzore. Është edhe autobiografi” – thotë Meta. “Kënga ime është një himn për jetën. Jeta duhet parë në fytyrë dhe jo nga pas”. Edhe albumi i tij i ri do të ketë këtë emër.