Shoqata e Qumështorëve të Kosovës (ShQK) edhe një herë bën thirrje nga organet kompetente të marrin masa sa i përket pranisë së vajit të palmës në produktet qumështit.
Kjo shoqatë javën e kaluar ka bërë kallëzim penal ndaj Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV) dhe disa kompanive që po përdorin vajin e palmës në produktet e tyre, duke mos e deklaruar atë.
“Ndërkohë, ka pasur akuza në drejtim të shoqatës sonë, e vetme legjitime e qumështorëve, se po manipulojmë me opinionin, si dhe akuza për manipulime financiare. Këtyre akuzave ne u përgjigjemi drejtpërdrejt se nuk kemi çka të fshehim: nëse dyshoni se po manipulojmë me fakte, atëherë le të bëhet një analizë e menjëhershme e të gjitha produkteve të qumështit, kështu që të qartësohet një herë e mirë se kush është duke e rrezikuar shëndetin e konsumatorëve dhe imazhin e prodhuesve vendorë për shkak të përfitimeve të lehta”, thuhet në komunikatën e ShQK-së.
“Ne këtë po e kërkojmë me vite nga AUVK-ja, por fatkeqësisht nuk kemi parë të merret ndonjë veprim, duke lejuar dëmtimin e konsumatorit kosovar, kompanive të sinqerta të qumështit, si dhe fermerëve që po vazhdojnë të mbyllin fermat e tyre”.
“Prezantimi i rrejshëm në media, gjoja si përfaqësues të shoqatës së qumështorëve nga disa persona, vetëm se e dëshmon edhe më tepër se disa qarqe të caktuara me interes në vajin e palmës në këtë mënyrë dëshirojnë të na e mbyllin gojën dhe të vazhdojnë edhe më tej me mënyrën e tyre të manipulimit dhe të dëmtimit të industrisë së qumështit”, thuhet në komunikatë.
“Për shkak të veprimeve të këtyre kompanive në një pjesë të opinionit është krijuar mendimi i gabueshëm se të gjitha produktet vendore të qumështit kanë përbërje të vajit të palmës, duke dëmtuar kështu në përgjithësi prodhuesit vendorë, andaj lusim edhe mediet që të kontribuojnë në sqarimin e situatës, duke e cekur vazhdimisht se janë vetëm një pjesë e vogël e prodhuesve vendorë të qumështit që janë duke e përdorur vajin e palmës”.
“Për t’i ikur të gjitha këtyre komplikimeve ne edhe një herë u bëjmë thirrje organeve relevante, përfshirë këtu edhe nivelet më të larta për të ndërmarrë masa të menjëhershme të ndalimit të këtij mashtrimi që po u bëhet konsumatorëve për vite të tëra”, theksohet në komunikatë.