Përfundon afati 120 ditor – mbi 90 mijë votues të regjistruar nga diaspora

Prishtinë | 27 Dhj 2024 | 08:13 | Nga Ekonomia Online

Periudha 120 ditore për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës ka përfunduar mbrëmë.

Sipas të dhënave preliminare, numri i shtetasve të Kosovës që janë regjistruar si votues jashtë Kosovës në periudhën 29 gusht-26 dhjetor 2024, deri në orën 23:59 është 90,860.

Ndërkaq, numri i aplikimeve që janë në shqyrtim është: 18,244.

Shqyrtimi i këtyre aplikimeve do të vazhdojë edhe sot sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi,

“Shqyrtimi i aplikimeve të pranuara do të vazhdojë edhe gjatë ditës së premte dhe do të bëjmë përpjekje që në një kohë sa më të shpejtë të kemi një raport përfundimtar për numrin e shtetasve të regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës, të ndarë sipas mënyrës së votimit dhe sipas shteteve”, ka thënë Elezi.

Zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 9 shkurt dhe kjo do të jetë hera e parë që do të ketë zgjedhje të rregullta parlamentare që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

Të ngjashme