Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës ka bërë të ditur se RoAiad, një agjenci brenda Qeverisë së Rumanisë, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Rumanisë në Kosovë, i dhuroi SHSKUK’së një donacion me pajisje mjekësore dhe material harxhues.
Sipas SHSKUK’së. donacioni kap vlerën e 20 mijë eurove, ndërsa përfitues është Klinika e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, falënderoi shtetin rumun për ndihmën e ofruar, duke thënë se ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për pacientët, në këtë rast për fëmijët që kërkojnë trajtim në Klinikën e Pediatrisë.
Sipas tij, donacioni ka rëndësi të veçantë, sepse shpreh miqësinë dhe solidaritetin mes popujve, sidomos në kohëra të vështira.
“Drejtori Krasniqi e siguroi udhëheqësin e Zyrës Ndërlidhëse të Rumanisë në Kosovë, Daniel Onisor se donacioni do të përdoret për qëllimin e destinuar. Ndërkaq, Onisor tha se ky donacion është një ndihmë nga populli rumun, dedikuar për Pediatrinë”, thuhet nga SHSKUK.
Gjatë ceremonisë së dorëzim-pranimit të donacionit, prezent ishte edhe zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha, i cili falënderoi shtetin e Rumanisë, derisa theksoi nevojën e vazhdimit të bashkëpunimit mes dy shteteve në fushën e shëndetësisë.