Raporte mes Shtabit emergjent komunal dhe Institutit të Shëndetit Publik në Komunën e Pejës pothuajse nuk ekzistojnë.
Bashkëpunimi edhe ashtu i paktë mes tyre që nga fillimi i pandemisë është zëvendësuar me përplasjet e vazhdueshme mes vete, se cili prej tyre po e tregon gjendjen reale me Covid-19 në Pejë e cili jo.
Drejtuesi i shtabit komunal, Petrit Loci, akuzon këtë institut se nuk po e tregon gjendjen reale për numrin e të sëmurëve nga Covid-19, raporton KOHA.
“Menaxhmenti i ISHP-së në Pejë le ta dokumentojë me fakte. Unë po e them me përgjegjësi të plotë se dhjetë për qind e pacientëve që marrin terapi në ‘Fidanishte’ janë të testuar. 90 për qind janë vetëm të diagnostikuar nga reparti infektiv dhe i pulmologjisë në Spitalin e përgjithshëm”, thotë Loci.
Loci i bën ftesë publike Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik që të dërgojë përfaqësuesit e tyre të qëndrojnë një ditë të tërë në qendrën e mjekësisë familjare në lagjen “Fidanishte” dhe në repartet e Spitalit të Pejës, ku po trajtohen pacientët dhe, sipas tij, do të shohin gjendjen reale.
Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik në Pejë, Adnora Nurboja, nuk e di se si dhe çka ka kuptuar Loci me paraqitjen e gjendjes reale. Sipas saj, testohen të gjithë personat sipas simptomatologjisë dhe që referohen nga Spitali i Pejës.
“Nëse në Komunën e Pejës i kemi 170 pacientë që janë të konfirmuar pozitivë, nëse 50 prej tyre janë të shtrirë në spital dhe 100 po trajtohen në qendrën e mjekësisë familjare, atëherë numri po barazohet me atë sa po i trajtojnë ata, sa po i trajton spitali, dhe se një numër i tyre po trajtohet në shtëpi. Ata që janë me simptoma më të lehta që nuk kanë nevojë të marrim terapi as në qendrat e mjekësisë familjare e as në spital. Domethënë ky numër përkon me statistikat tona”, shprehet Nurboja.
Mes këtyre dy institucioneve nuk ka bashkëpunim që nga fillimi i pandemisë. Prej institucioneve që janë të përfshira në luftën kundër Covid-19, sipas Locit, ky institut është i vetmi në Pejë që nuk ka bashkëpunim me Komunën. Mirëpo, Nurboja ka mohuar pohimet e Locit se ky institut është ftuar ndonjëherë gjatë pandemisë për takime e bashkëpunim.
Nga fillimi i pandemisë e deri të premten në Komunën e Pejës janë regjistruar 690 raste me Covid-19, aktualisht janë mbi 180 raste aktive. Deri tash në këtë komunë nga COVID-19 kanë vdekur 30 persona.