Shtabi Emergjent në Fushë-Kosovë apelon të respektohen rekomandimet e MSh-së

Prishtinë | 09 Qer 2020 | 16:17 | Nga Ekonomia Online

Shtabi Emergjent i Komunës së Fushë-Kosovës ka bërë thirrje që bizneset, qytetarët dhe institucionet të respektojnë orarin e punës, si dhe t;iu përmbahen rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Shtabi Emergjent i Komunës së Fushë-Kosovës në takimin e mbajtur me datën 09.06.2020, shqyrtoi Informatën lidhur me situatën pandemike në periudhën emergjente, (mars, prill, maj). Roli dhe kontributi i Shtabit Emergjent ka qenë i jashtëzakonshëm dhe shumë domethënës në menaxhimin e pandemisë COVID-19. Komuna, QKMF, Stacioni e Policisë, Njësia e Pastrimit, QPS, bizneset tregtare, kanë qenë fronti i parë i ballafaqimit me këtë situatë duke përkrahur qytetarët dhe duke funksionalizuar institucionet lokale si masë parandaluese të virusit COVID-19”, thuhet në një komunikatë të Zyrës për Informim.

“Në periudhën e parë kishim 8 raste kontakti dhe të gjitha janë të shëruara. Shtabi emergjent ka trajtuar të gjitha kërkesat dhe ka vendosur prioritetet për tu mbrojtur Shëndeti Publik, përmasë masave mbrojtëse dhe furnizimeve tjera bazike”.

“Që kur ka filluar lehtësimi i masave për disa aktivitete, është evidente rritja e numrit të infektuarve me COVID-19, tani kemi 23 raste kontakti nga komuna e Vushtrrisë dhe KEK-u”.

Shtabi Emergjent apelon që të gjithë qytetarët, bizneset dhe aktorët e tjerë të respektojnë dhe zbatojnë masat mbrojtëse, rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të IKShP-së.

Shtabi Emergjent thotë se me kujdes ka harmonizuar të gjitha kërkesat e qytetarëve, Institucioneve Lokale, gjithashtu ka pasur një bashkëpunim ndërinstitucional me M.Sh. dhe IKSHP.

Luten institucionet, bizneset, qytetarët për mbajtjen e rendit dhe respektimin e orarit të punës, theksohet në njoftimin për medie.

Të ngjashme