Shtatë mijë ton kafe dhe tre mijë ton cigare importohen dhe konsumohen brenda një viti nga qytetarët e Kosovës. E nëse llogaritet vetëm taksa e paguar për cigare atëherë janë rreth 170 deri në 180 milionë euro taksë.
Drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, ka bërë të ditur për “EO”, se deri më tani më 2019 janë importuar 1 mijë e 450 ton cigare dhe 3 mijë e 500 ton kafe.
“Cigaret, brenda vitit në Kosovë importohen rreth 3 mijë ton, konsumi në Kosovë është në këtë sasi 3 mijë ton. Nëse marrim vetëm taksa diku janë 170-180 milionë euro taksë që mblidhen nga kjo kategori. Deri tash kemi diku 1 mijë e 450 tonë import të duhanit për këtë periudhë të vitit 2019. Te kafja, konsumi vjetor i kafes në Kosovë është diku është 7 mijë tonë. Deri tash kemi rreth 3 mijë e 500 tonë që janë importuar në Kosovë”, ka thënë ai.
Sipas tij, cigaret hyjnë në grupin që sjellin më së shumti të hyra në buxhetin e shtetit së bashku me derivatet dhe automjetet.
“Ne jemi vend importues. Diku rreth 90 për qind ne importojmë ndërsa eksportojmë shumë pak. Importohet gjithçka, duke filluar nga karburantet, mallrat ushqimore, teknika, produktet e IT-së, ato bujqësore. Nëse flasim nga aspekti se cilat mallra sjellin të hyra më shumë atëherë janë derivatet që sjellin të hyra më së shumti në buxhetin e shtetit, pastaj vijnë cigaret dhe automjetet dhe produktet e përgjithshme”, ka deklaruar më tej Berisha.