Shtatë persona janë konfirmuar të vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë shpallur të zhdukur pas përmbysjes së një barke në Ugandë të Afrikës.
Në barkën e përmbysur ndodheshin më shumë se 50 futbollistë dhe tifozë të futbollit nga rajoni perëndimor i Ugandës, Hoima.
Dëshmitarët thanë se mbingarkesa dhe moti i lig mund të kenë ndikuar në këtë aksident, ndërsa ekipet e shpëtimit po i vazhdojnë kërkimet për t’i gjetur personat e zhdukur.
Në vitin 2016, më shumë se 30 futbollistë dhe tifozë ishin përmbysur kur barka e tyre ishte fundosur në liqenin Albert.
Udhëtarët ishin duke shkuar në Runga, ku ishte planifikuar zhvillimi i një ndeshjeje miqësore. Raportohet se barka u përmbys pak kohë pas nisjes së lundrimit.
Një zëdhënës i policisë tha se peshkatarët që ndodheshin afër vendit të ngjarjes shkuan me nxitim për t’i shpëtuar njerëzit që po përmbyteshin dhe i nxorën nga uji 32 persona të gjallë.
Thuhet se në kohën e përmbysjes në liqen ka pasur mot me erë të fortë dhe se shumica e udhëtarëve nuk kishin të veshur jelekë shpëtues.
Dy raste të ngjashme të fundosjes së barkave kanë ndodhur në Ugandë edhe më 2015 dhe 2016. Pronarët e barkave në këtë vend zakonisht nuk kanë jelekë të mjaftueshëm për të gjithë personat që hipin në këto mjete lundrimi, shkruan “BBC”.