Mendoni se mund të notoni gati 4 kilometra? Të përshkoni me biçikletë 180 kilometra? Apo të vraponi një maratonë (42 km e 195 metra)?
Imagjinoni t’i bëni këto përnjëherë, pa pushuar. Kjo është ajo që quhet triathlona “Ironman”. Është ajo që lojtari i futbollit amerikan Hines Ward e kishte quajtur torturë për të çmendur.
Tash nëse nuk ju ka rënë të fikët vetëm duke menduar të merrni pjesë, paramendoni të bëni shtatë triathlona “Ironman” në shtatë ditë rresht. Dhe madje në moshën 50-vjeçare.
Kjo është ajo sfidë supernjerëzore që Francis Benali, ish-futbollisti i Southamptonit, e ka nisur të hënën në tentim për të mbledhur një milion funte së paku për hulumtime për kancer në Britani të Madhe. Garën e parë e nisi në Manchester, për t’i vazhduar në Nottingham, Leicester, Bristol, Berkshire, Farnham dhe Southampton.
Është sfida e tretë që Fran po bën për të mbledhur fonde për këtë organizatë, por është sigurisht më e vështira.