Një zyrtar policor është qëlluar me armë zjarri sot rreth orës 16:08, në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Pejë.
Këtë e konfirmoi për Ekonomia Online, Fadil Gashi, zëdhënës i policisë për rajonin e Pejës, i cili ka njoftuar se zyrtari u qëllua nga një automjet që po lëvizte në drejtim të tij, por ai nuk pësoi dëmtime.
“Zyrtari policor sapo kishte dalur nga stacioni policor dhe ishte duke e kaluar rrugën në zebra, kur nga një veturë që po udhëtonte në drejtim të tij është qëlluar me armë zjarri. Për fat të mirë, ai ka shpëtuar pa lëndime”, ka thënë Gashi.
Në lidhje me ngjarjen, i dyshuari është identifikuar dhe tashmë janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për kapjen e tij.
Policia ka dërguar në vendngjarje edhe prokurorin dhe njësitet relevante, ku janë gjetur dy gëzhoja.