Në Komunën e Shtërpcës, lehonat paguhen njësoj si gjatë kohës sa punojnë. Pushimi nuk u ndalon atyre kënaqësinë që të marrin pagën e plotë. Kështu bëhet e ditur në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Në Shtërpcë, auditori ka gjetur një punëtore të administratës komunale që kishte shkuar në pushim të lehonisë, derisa komuna ka vazhduar ta paguajë me 100 për qind të vlerës së pagës.
Pavarësisht se ligji parasheh ndalesa në këto raste, asgjë nuk e ka penguar komunën e Shtërpcës t’ia siguroj pagën e plotë punëtores së saj. “Përmes testeve të pajtueshmërisë kemi identifikuar se një punëtore e administratës komunale kishte shkuar në pushim të lehonisë, përderisa komuna kishte vazhduar ta paguaj me 100% të vlerës së pagës”, bëhet e ditur në raport, shkruan Indeksonline
Mirëpo kjo nuk është shkelja e vetme që ZKA ka evidentuar në Shtërpcë. Edhe në procedurat tenderuese Komuna nuk shihet të jetë fort respektuese e rregullave ligjore.
Në projektin për servisimin e veturave zyrtare, komuna ka lidhur kontratë për servisim në vlerën e 35 mijë euro. Kriter në dosje thuhet të ketë qenë që operatori para se të shpërblehet me kontratë të sjell dëshmi nga Gjykata ekonomike, që nuk është nën hetim apo falimentim.
Në këtë rast, auditori thotë se Komuna ka nënshkruar kontratën me 15 prill të 2016-tës, ndërsa vendimi i operatorit është sjellë me 28 korrik.
Ky nuk është tenderi i vetëm, me të cilin Komuna ka shkelur rregullat. Njësoj ka vepruar edhe me furnizimin me sharritje me dru ahu për nxehje të shkollave dhe QKMF-së.
“Ne kemi vërejtur se komuna kishte shpërblyer me kontratë OE i cili ishte i pa përgjegjshëm për shkak se nuk kishte përmbushur kriteret e vendosura në dosje të tenderit. Në dosje të tenderit kërkohej dëshmi e lëshuar nga Agjencia Pyjore e Kosovës që kundër subjektit përkatës nuk ka të ngritur ndonjë procedurë për dëme pyjore, kriter të cilin nuk e kishte përmbushur OE, sepse ndaj tij ishin ngritur procedura kundërvajtëse për shkelje ligjore në sektorin e pylltarisë”, bëhet e ditur më tej. Këto janë vetëm disa prej shkeljeve në Shtërpcë.