Të premten e javës që shkoi, SBASHK-u ka nënshkruar marrëveshjen për kontratën kolektive me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.
Kjo u bë e ditur në një konferencë të përbashkët ku prezent ishte edhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj në një prononcim për Telegrafin ka bërë të ditur, se marrëveshja në mënyrë formale është nënshkruar të premten pasdite.
“Të premten pasdite në ora 14:30 pas përgatitjeve teknike është nënshkruar marrëveshja në MASH për kontratën kolektive. MASH-i i si duket nuk e ka parë të udhës të ftoj mediat, ngase u konsiderua se për të dy çështjet u arrit marrëveshja kur u bë e ditur para mediave në konferencë”, tha Jashraj.
Përveç kontratës kolektive, SBASHK-u arriti që të merr mbështetjen e Qeverisë edhe për shtesat për të gjithë punëtorët e arsimit.
Qeveria dhe SBASHK-u arrijnë marrëveshje për Kontratën kolektive, pritet të nënshkruhet sot
Jasharaj ka treguar se ndonëse fillimisht kërkesa ka qenë që punëtorët e arsimit të marrin nga 100 euro shtesë, kjo shumë është zvogëluar, pasi që ata kërkuan që askush të mos anashkalohet nga ky vendim.
“Po kërkesa jonë ka qenë 100 euro, por duke u nisur nga fakti që ne insistuam që të mos përjashtohet askush por të përfshihen të gjithë punëtorët, që nga çerdhet, punëtorët teknik, administrata, pastaj arsimi fillor e i mesëm… dhe kjo pastaj e ndryshoj pak çështjen dhe ne pastaj ishim të gatshëm të lëshojmë pe që të mos jetë shuma 100 por më e vogël por ta gëzojnë këtë mbështetje të gjithë, dhe kryeministri u pajtua”, tha Jasharaj për Telegrafin.
Kryetari i SBASHK-ut, ka treguar se kjo shumë tash mund të jetë 70 ose 80 euro.
“Për ne është arritje e madhe që të mos kemi ndarje të mos ndihet askush i anashkaluar, mbase shuma do të jetë 70 ose 80 euro”, u shpreh Jasharaj.