Kosovari i lënduar në kokë nga defekti në ski-liftin në Kodrën e Diellit në Maqedoni të Veriut kërkon zbardhjen e rastit nga policia

Prishtinë | 15 Mar 2025 | 17:32 | Nga Ekonomia Online

Avdyl Alilaj, shtetas nga Kosova javë më parë ndërsa po skijonte në Kodër të Diellit në Maqedoni të Veriut , ka pësuar lëndime të rënda në kokë për shkak të një defekti në ski lift. Alilaj, pas lëndimeve të mara në kokë thotë se ka kërkuar ndihmë, por shprehet i zhgënjyer nga trajtimi i ekipeve të ndihmës së shpejtë në Kodrën e Diellit.

“Në ora 11 më ndodhi aksident duke hipur në lift, sepse një mbajtëse e liftit ishte e shkurtër dhe më goditi në kokë. Humba vetëdijen për disa minuta, dhe kur u zgjova, mundohesha ta ndaloj gjakun, por s’mundesha. Dy punëtorët që punonin aty ishin në shok dhe nuk dinin të ndihmonin për të dhënë ndihmën e parë. Pas disa minutash erdhi ndihma por u lajmërua edhe një mjeke maqedonase që më dha ndihmën e parë dhe ma ndaloi gjakun që nuk ndalej. Humba një litër e tepër gjak. Por ajo që më brengos më shumë është ardhja e ndihmës nga ski qendra që ma lidhën kokën dhe më thanë shko në spital. Më befasuan përse ski qendra nuk e thirri policinë në vendngjarje për ta paraqitur rastin. Njëjtë edhe në Tetovë edhe pse kërkuam që ta thirrin policinë ata nuk e thirrën policinë as në spital, edhe pse na pritën mirë aty, megjithatë refuzonin ta thirrin policinë sepse thoshin që nuk të ka godit askush po ke pasur aksident në ski qendër”, tha Avdyl Alilaj, Shtetas i Kosovës.

Meqë ka pasur tepër dhimbje, Alilaj nuk është ndalur në Tetovë por ka ikur për Kosovë për tu trajtuar, ndërsa dy ditë më vonë, është kthyer dhe e ka paraqitur rastin. Për Televizionin Alsat, nga Sektori i Punëve të Brendshme të Tetovës kanë konfirmuar rastin, ndërsa thonë se po punohet në zbardhjen e plotë të tij.

“Me datë 06.03.2025 në ora 11:40 në SPB Tetovë, A.A. (60) ka raportuar se një ditë më parë rreth orës 11:00, derisa ishte në qendrën e skijimit në Kodrën e Diellit dhe derisa ishte në pritje të skiliftit, i cili duhej ta çonte në shtegun e skijimit “Aerodrom”, nga pakujdesia është goditur nga skilifti dhe ka pasuar lëndime trupore, të konstatuara në Spitalin klinik në Tetovë. Po merren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit”, thonë nga SPB Tetovë.

Por drejtori i Kodrës së Diellit hedh poshtë akuzat e Alilajt. Ai thotë se personi i lënduar ka marrë ndihmën e duhur në kohë.

“Nuk është e vërtetë, personi që është lënduar ka marrë ndihmën e parë dhe i janë dhënë gjitha ndihmat prej neve. Ishte në rregull gjithçka, dhe kemi edhe raport nga ekipet e shpëtimit. Si ski qendër, së pari ndihmën e parë mjekësore ua japim me ekipin tonë të angazhuar, ndërsa varësisht prej lëndimit, thërrasim ambulancën ose vetë e dërgojmë në spital, por pala ka marrë ndihmën e parë dhe nuk ka pranuar ne ta dërgojmë në spital ka vazhduar vetë”, tha Gani Aliji, Drejtor i Kodrës së Diellit.

Por, edhe përkundër mohimit të akuzave nga ana e drejtorit, shtetasi i Kosovës Alilaj, kërkon nga policia që rasti të zbardhet sa më parë./Alsat.mk

Të ngjashme