Tre shtetas të Shqipërisë me banim në një banesë në Ferizaj, nuk u janë bindur urdhrave të patrullës së policisë për të ja ulur zërin muzikës, dhe më vonë edhe kishin sulmuar një zyrtar policor, të cilit i është dashur të marrë tretman mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj.
Burime të Reporteri brenda policisë në Ferizaj, kanë bërë të ditur se është dashur reagimi i Njësisë Speciale, për të arrestuar një shtetas të Shqipërisë, në një banesë në rrugën 12 Qershori, pasi i njëjti kishte sulmuar fizikisht një polic të patrollës.
Deri te arrestimi kishte ardhur, pasi patrolla e policisë fillimisht diku rreth orës 02:00 kishte marrë një ankesë nga banorët për muzikë me zë të lartë në një banesë aty. Por edhe pas tërheqjes së vërejtjes, tre shtetasit e Shqipërisë, kishin vazhduar sjelljen e tyre të njejtë.
Diku rreth orës 05:00 patrolla e policisë sërish e kishte vizituar banesën ku po qëndronin tre shtetasit e Shqipërisë, dhe në këtë rast, njëri prej tyre, një 27 vjeçar, ishte sjell në mënyrë agresive me policët, ku njërit prej tyre edhe i kishte shkaktuar lëndime.
Me këtë rast policia kishte vënë në angazhim njësitin special, i cili kishte arrestuar 27 vjeçarin, dhe i njëjti është dërguar në mbajtje.