Shtetas i Republikës së Shqipërisë Shpendi Lilaj, është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me shtatë vjet burgim, pasi sërish është shpallur fajtor për krim të organizuar me narkotikë.
Të akuzuarit Lilaj, gjithashtu i është shqiptuar dënim me gjobë në lartësi prej pesë mijë eurosh.
Lilaj, edhe më 23 qershor të këtij viti, i ishte shqiptuar dënim i njëjtë, por mbrojtësi i tij, avokati Besnik Berisha kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit dhe lënda ishte kthyer në rigjykim.
Në aktgjykimin e së hënës, gjykatësi Beqir Kalludra, ka deklaruar se janë marrë parasysh vërejtjet e Gjykatës së Apelit dhe ka konstatuar se kanë vërtetuar gjendjen faktike, sipas së cilës, Lilaj ka qenë kryerës i veprës penale për çka ishte akuzuar.
Mbrojtësi i tashmë të dënuarit Lilaj, avokati Berisha tha për “Betimi për Drejtësi” se këtë aktgjykim e cilëson të padrejtë, për çka deklaroi se sërish do t‘i drejtohet gjykatës së shkallës së dytë për ta trajtuar përsëri këtë rast.
“Është aktgjykim i padrejtë, me shkelje të ligjit. Sot me arsyetimin që e dha gjyqtari, përkatësisht kryetari i trupit gjykues u faktua se ai e kishte paragjykuar më shumë çështjen se që kishte gjykuar në fakt”, tha avokati Berisha.
Ai tha se pret që Gjykata e Apelit, ta rrëzojë aktgjykimin e shqiptuar këtë të hënë nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
“E kam përshtypjen se Gjykata e Apelit do ta rrëzojë. Gjykata e Apelit, me aq sa kam arritur të kuptojë nga aktgjykimi ia ka bërë me dije se në rastin konkret nuk ka vepër penale dhe duhet të procedohet me aktgjykim lirues. Sidoqoftë, ky është vetëm vendim i shkallës së parë dhe e mira është se nëse kjo çështje kthehet në rigjykim për çfarëdo arsye tjetër, ky trup gjykues e ka humbur objektivitetin dhe nuk mund ta marrë ta trajtojë këtë çështje”, shtoi tutje Berisha.
Ndryshe, Lilaj, edhe më 23 qershor të këtij viti, i ishte shqiptuar dënim i njëjtë, por mbrojtësi i tij, avokati Besnik Berisha kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit dhe lënda ishte kthyer në rigjykim.
Avokati Berisha kishte pretenduar se vendimi i qershorit kishte shkelje esenciale të dispozitave ligjore, vërtetim të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkelje të ligjit penal.
Berisha i kishte propozuar Gjykatës së Apelit që vendimin e shkallës së parë ta ndryshojë, duke e liruar të akuzuarin Lilaj ose si alternativë ai kishte kërkuar që Apeli këtë çështje ta kthej në rigjykim.
Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesën e mbrojtësit dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.
Prokuroria nga ana tjetër nuk kishte apeluar vendimin mbi dënimin e shkallës së parë, por kishte kërkuar nga shkalla e dytë qa ta vërtetojë vendimin e Themelores.
Në rigjykim, me pajtimin e palëve të gjitha provat e shqyrtuara në gjykimin paraprak janë konsideruar të lexuara.
“Betimi për Drejtësi”, ka raportuar edhe më parë për këtë rast.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 14 dhjetor 2011, kishte ngritur aktakuzë ndaj Altin Allushi, Ahmet Isufaj, Shpend Lilaj, Petrit Nikqi, Tonin Greme dhe Astrit Hasanaj, të cilët akuzohen se kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, gjatë qershorit të vitit 2011, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë së kundërligjshme financiare.
Gjithnjë, sipas prokurorisë, Greme, Isufaj e Lilaj e kishin organizuar këtë grup kriminal duke e kontaktuar të pandehurin Petrit Nikqi, përmes Astrit Hasanaj dhe duke e angazhuar Altin Alushin, ta transportojë drogën nga Kosova në Shqipëri, me kompensim prej 1400 euro. Pasi i akuzuari Petrit Nikqi, ia kishte dhënë Ahmet Isufajt, Shpend Lilajt dhe Tonin Gremës, 10 paketime në vlerën e përgjithshme prej 4.925,17 gramë të lëndës narkotike të llojit heroinë, të njëjtit e kishin paguar Nikqin prej 55 mijë euro, prej të cilave 5 mijë euro Nikqi, ia ka dhënë të akuzuarit Astrit Hasanaj.
Sipas prokurorisë, të njëjtit kanë kryer veprën penale “krim i organizuar lidhur me blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike”.
I akuzuari Ahmet Isufaj, vazhdon të gjendet në arrati, kurse të akuzuarit e tjerë pas pranimit të fajësisë ishin dënuar me nga 4 vjet burgim në vitin 2013, gjë që tash e kanë kryer dënimin. Ndërsa, për Shpendi Lilajn, ishte veçuar procedura.