Një studim i përkrahur nga Kombet e Bashkuara ka thënë se bota duhet të zvogëlojë më shumë se gjysmën e prodhimit të thëngjillit, naftës dhe gazit në dekadën e ardhshme, në mënyrë që ngrohja botërore të mos arrijë në nivele të rrezikshme.
Programi i Kombeve të Bashkuara për Ambient, ka thënë në raportin e publikuar më 20 tetor se shtetet janë duke planifikuar që të shpojnë apo gërmojnë më shumë se gjysmën e sasisë së thëngjillit, naftës dhe gazit, marrë parasysh kufizimet e ngrohjes botërore në 1.5 gradë Celsius deri në fund të shekullit.
Vetëm 10 ditë para se të mbahet Samiti për Klimën në Glasgou të Skocisë, i cili po konsiderohet kyç për të jetësuar synimet për temperaturën, të arritura në Marrëveshjen e Parisit për Klimën, studimi ka gjetur se prodhimi i thëngjillit do të ulet, mirëpo prodhimi i gazit do të rritet më së shumti në 20 vjetët e ardhshëm, në nivele që nuk janë në përputhje me synimet për temperaturën.
“Hulumtimi është i qartë: prodhimi botëror i thëngjillit, naftës dhe gazit duhet të zvogëlohet menjëherë në mënyrë që të jetë në përputhje me kufizim të ngrohjes globale në 1.5 gradë Celsius. Megjithatë, qeveritë vazhdojnë të planifikojnë dhe të mbështesin prodhimin e naftës së papërpunuar, në sasi të cilat janë shumë më të mëdha sesa ne mund të djegim”, ka thënë Ploy Achakulwisut, autore e raportit nga Instituti i Stokholmit për Ambient.
Në muajin gusht, një panel i OKB-së për ndryshimet klimatike, ka paralajmëruar se temperatura mesatare globale, do të mund të kalojë 1.5. gradë Celsius brenda 20 vjetëve, përveç nëse nuk merren masa të menjëhershme, të shpejta dhe të shkallës së gjerë, për të zvogëluar emetimet e gazrave serrë.
Vlerësimet preliminare sugjerojnë se prodhimi botëror i naftës së papërpunuar ka mundur të zvogëlohet për 7 për qind më 2020, kryesisht për shkak të pandemisë COVID-19 dhe masave kufizuese.
Mirëpo, sipas një raportit të ri, shtetet planifikojnë të prodhojnë 110 për qind më shumë naftë më 2030, sesa është paraprarë për të mos rritur temperaturën mbi 1.5 gradë, dhe 45 për qind më shumë sesa që duhet, për të mos rritur temperaturën në 2 gradë Celsius.
Në raport përmenden 15 prodhues të mëdhenj përfshirë Rusinë, Australinë, Arabinë Saudite, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Rusia vitin e kaluar ka miratuar strategjinë e re për energji deri më 2035.
Sipas skenarit “optimist” të strategjisë, prodhimi i gazit dhe thëngjillit do të rritet për 38 për qind dhe 52 për qind, respektivisht, nga 2018 deri më 2035, dhe 18 për qind dhe 10 për qind, respektivisht, sipas një skenari “pesimist”.
Për dallim nga gazi dhe thëngjilli, strategjia parasheh rënie të prodhimit të naftës.