Nëse dikur për ndërtimin e hidrocentraleve furnizuesit kryesorë të makinerive ishin Franca, Bashkimi Sovjetik apo më vonë Kina, sot të tjera shtete po përfitojnë nga bumi i ndërtimeve të hidrocentraleve në Shqipëri.
Vitin e kaluar, vetëm importet e turbinave kapën vlerën e 11.5 milionë eurove, ku pjesa më e madhe prej tyre vjen nga vende të Bashkimit Europian.
Furnizuesit kryesorë ishin Austria me 4.8 milionë euro në vlerë turbinash të importuara, Turqia me 3.2 milionë euro dhe Italia me 2.3 milionë euro. Vendet e tjera të origjinës regjistruar një total prej 1.1 milionë eurosh.
Gjeografia e turbinave megjithatë është në ndryshim të vazhdueshëm, në varësi të investitorëve të hidrocentraleve dhe madhësisë së projekteve. Në vitin 2016, furnizuesi kryesor ishte Italia me 7 milionë euro nga 13.2 milionë euro importe në total.
Ndërsa deri më tani për vitin 2018, Turqia qëndron në krye të listës së importeve për periudhën Janar-Maj 2018 me 1.3 milionë euro, ndjekur nga Spanja dhe Sllovenia.
Vendet si Italia, Sllovenia dhe Bullgaria janë partnere të rëndësishëm në fushën e energjisë edhe për shkak të afërsisë gjeografike, diçka që ul ndjeshëm kostot e importit. Këto vende zënë një pjesë të madhe të importeve edhe në panele diellore.(Scan)