Ekonomia e Indisë shënoi rimëkëmbje në shkallë rekorde në tremujorin e dytë të këtij viti, pavarësisht faktit se vendi po përballej me një valë shkatërruese të pandemisë.
Masat më të lehta kufizuese lejuan më shumë veprimtari ekonomike në krahasim me izolimin mbarëkombëtar të vitit të kaluar, shkruan BBC.
Bruto-prodhimi vendor shënoi rritje për hiç më pak se 20.1 për qind për muajt prill, maj dhe qershor në krahasim me vitin e kaluar. Gjatë të njëjtës periudhë të vitit të kaluar, ekonomia e Indisë ishte tkurrur për 24 për qind.
Këshilltari kryesor për ekonomi i qeverisë në Indi, KV Subramanian, tha se në rimëkëmbje ndikuan investimet private dhe shpenzimet për konsum.
Përpos këtyre dy faktorëve, në rritje ekonomike ndikuan edhe prodhimtaria dhe ndërtimtaria, sipas Ministrisë së Statistikave.
Pavarësisht shifrës mbresëlënëse, ekonomia e shtetit me popullsinë e dytë më të madhe në botë nuk u rrit aq shumë sa kishte parashikuar Banka Qendrore – 21.4 për qind.
Ekspertët janë optimistë se India do të vazhdojë që të ketë rritje të fuqishme ekonomike, ndonëse disa sektorë të rëndësishëm ende nuk kanë arritur të rimëkëmben. Pavarësisht rritjes, shpenzimet e konsumit ende nuk janë në nivelin e kohës para pandemisë.