Para një jave, heqja e gurit përkujtimor për Pashkë (Krasniqi) Markaj – nëna që dogji veten pasi iu kthyen mbetjet mortore të djemve të saj të vrarë nga forcat serbe – ka ngjallur reagime të shumta në vend.
Reagime pati edhe sot kur në rrjetet sociale u shpërndanë fotografi, ku shihej se i njëjti gur ka përfunduar në mbeturina.
Klankosova.tv ka kontaktuar edhe me njërin nga nipërit e Nënës Pashkë, i cili ka thënë se duke e pasur parasysh reagimin e madh të qytetarëve për largimin e gurit përkujtimor, beson se shteti do ta realizojë një vepër të mirëfilltë për gjyshen e tij.
“Pikërisht, ne ia kemi lënë shtetit që të merret me këtë punë. Për neve, guri nuk do të kishte përfunduar në mbeturina, por këtë punë ia kemi lënë në dorë shtetit dhe tani mbetet të shihet. Duke pasur parasysh reagimin e qytetarëve për këtë ngjarje, po besojmë që do të realizohet një monument i mirëfilltë për Nënën Pashkë”, ka thënë Liridon Marku.
Klani ndërkaq mëson se tani shteti e ka marrë përsipër që kësaj nëne që u vetëflijua për bijtë e saj, t’i ndërtohet një monument i mirëfilltë.
Ish-drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj, në një prononcim për Klankosova.tv, ka bërë të ditur se kjo agjenci në bashkëpunim me Komunën e Gjakovës kanë filluar me hartimin e projektit për ndërtimin e një lapidari.
“Ky ka qenë projekt privat që e kanë ndërtuar familjarët dhe ka qenë në pronë private të tjetërkujt. Sa kam informacion unë, tani agjencia është duke u marrë me hartimin e një projekti të ri dhe sigurisht se në bashkëpunim me Komunën e Gjakovës, do ta gjejnë edhe hapësirën se ku do ta vendosin atë lapidar”, ka thënë Zogaj.