Vendimi i fundit i Gjykatës së Arbitrazhit në Vjenë e obligon Telekomin e Kosovës që t’ia paguajë operatorit virtual “Z Mobile” 30 milionë euro kompensim për mospërmbushje të kontratës. Po ashtu 5 milionë euro të tjera Qeveria duhet t’ia paguajë shtypshkronjës shtetërore austriake “AG Staatsdruckerei”, me të njëjtën arsye për mospërmbushje të kontratës.
Ndërkaq, përmes një procesi tjetër kompania “Axos” po kërkon nga shteti më shumë se 380 milionë euro kompensim për ndërprerjen e privatizimit të Telekomit
Shteti rrezikon t’i humbasë më shumë se 400 milionë euro nga vendimet e gjykatave të Arbitrazhit për shkëputje të kontratave në mes të institucioneve shtetërore, por edhe ndërmarrjeve publike me kompani të huaja dhe vendore.
Vendimi i fundit i Gjykatës së Arbitrazhit në Vjenë ka goditur rëndë kompaninë më të madhe publike në vend, Telekomin e Kosovës (TK). Për mospërmbushje të kontratës kjo e fundit duhet t’ia kompensojë operatorit virual “Z Mobile” 30 milionë euro, shkruan sot Gazeta “Zëri“.
Po ashtu sipas vendimit të kësaj Gjykate, Telekomi i Kosovës duhet t’i ofrojë operatorit virtual edhe 100 mijë numra të tjerë, si dhe të ofrojë shërbime të internetit 3G dhe 4G.
Gjatë këtij viti shteti ka humbur edhe një betejë tjetër me shtypshkronjën shtetërore austriake “AG Staatsdruckerei”. Në shkurt të vitit 2013, Shtypshkronja Shtetërore e Austrisë kishte ngritur padi në Gjykatën e Odës Ndërkombëtare Ekonomike në Paris kundër Republikës së Kosovës.
Arsyeja e ngritjes së padisë ishte – pagesat e pakryera rreth prodhimit të pasaportave biometrike.
Gjykatat ka vendosur që shteti i Kosovës duhet t’ia paguajë 4.9 milionë euro kompensim shtypshkronjës “AG Staatsdruckerei” për ndërprerje të parakohshme të kontratës për prodhimin e pasaportave biometrike, si dhe për disa pagesa të pakryer.
Një betejë tjetër po ashtu është në proces mes Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë “Axos”, ku kjo e fundit për shkak të ndërprerjes së procesit të privatizimit të Telekomit të Kosovës po kërkon një kompensim marramendës prej më shumë se 50 milionë eurosh.