Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka theksuar pasojat serioze që ka sjellë ngecja e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se dhjetëra institucione dhe agjenci tashmë po përballen me jofunksionalitet si pasojë e mungesës së emërimeve nga ana e legjislativit.
Sipas IKD-së, gjatë Legjislaturës 8-të ka pasur ngecje të theksuara në procesin e emërimit të organeve kolegjiale dhe individuale që janë nën përgjegjësi të Kuvendit.
Shumë prej tyre kanë mbetur pa anëtarë përkatës ose janë kthyer në institucione jofunksionale, për shkak të mosveprimit të Kuvendit dhe vonesave të Qeverisë për të bërë propozimet në kohë.
“Edhe pse në disa raste janë respektuar procedurat formale, procesi ka dështuar të përmbyllet me kohë dhe në përputhje me kriteret kushtetuese e ligjore. Kjo ka bërë që një numër i madh i institucioneve të mbeten pa përbërjet e nevojshme,” thuhet në njoftimin e IKD-së.
Instituti fajëson shumicën parlamentare të legjislaturës së kaluar për këtë situatë, duke e cilësuar si përgjegjëse për neglizhimin e obligimeve kushtetuese dhe për mosveprim, pavarësisht se ka pasur fuqinë politike për t’i realizuar emërimet.
Kjo situatë është përkeqësuar edhe më shumë me fillimin e Legjislaturës 9-të, e cila nuk është konstituar që nga 15 prilli 2025. Si pasojë, janë bllokuar të gjitha procedurat për emërimin e anëtarëve në institucione të rëndësishme dhe është paralizuar funksionimi i tyre kushtetues e ligjor.
IKD paralajmëron se pasojat do të bëhen edhe më të dukshme në muajt e ardhshëm, pasi pritet të skadojnë mandate të tjera, ndërsa nuk ka asnjë mekanizëm aktiv që mund të përmbushë këto procedura pa një Kuvend funksional.
IKD kërkon që Kuvendi i Republikës së Kosovës të konstituohet menjëherë, pa vonesa të mëtejshme, dhe të fillojë përmbushjen e detyrimeve kushtetuese për emërimin e anëtarëve në institucionet e pavarura, si hap i domosdoshëm për rikthimin e rendit institucional dhe rifitimin e besimit të qytetarëve në sistemin publik.