Bashkësia ndërkombëtare gabon, natyrisht. Dhe jo rrallë edhe e pranon. Por, një pranim të tillë, historia e diplomacisë së jashtme thotë se nuk ndodhë derisa gjërat ndodhin. Asnjëherë. Pranimet, mësimnxjerrjet ndodhin më pas.
Aktualja e momentumeve në marrëdhëniet ndërkombëtare, është e domosdoshmja, qoftë edhe si e keqe e domoadoshme, është e pa-opsion për më mirë apo për më pak të keqe.
Tash, diskutimi për gabimet është relativisht edhe i komplikuar. Sepse, bindjet mund të jenë parimore, ndërsa përdorimi i tyre dhe shkakoret mund të jenë tërësisht joparimore, dhe dëmi është i gatshëm dhe pariprueshëm. Shto këtu edhe pak kontekstualizim që rëndom mungon, dhe e ardhmja siguron gabime shumë të kushtueshme që do zbulohen më vonë.
Historia e marrëdhënieve të jashtme është përplot me këso shembuj, [lexo ‘gabime’’], për të cilat flasin shumë shkenctarë politikë sot, postpartum ama.
‘Gabim’ me parim të drejtë por me shkakore dëmesh të pafundme është përdorimi i armëve nukleare në nivel global; apo AlKaida si strukturë e rekrutuar në të 80-tat kundër rusëve në Afganistan; është Tribunali i Hagës për Krime në Jugosllavi në nivel rajonal, Marrëveshja e Dejtonit, etj. etj.
Paramendoni, të kishte dikush që do të kundërshtonte themelimin e Tribunalit të Hagës për të gjykuar krimet e luftës në ish Jugosllavi? Fillimisht, vendimi ishte parimor, por shkakoret jo që nuk sollën drejtësinë por lirimi i shumë kriminelëve të luftës solli amnistim të tyre, madje ca revizionizëm historik dhe mosdekurajim për konflikte të reja. Kështu me këto korniza mund të flasim edhe për rastin e Sirisë, Irakut, etj.
Për Ukrainën apo Gjykatën e Dhomave të Specializuara po rezervohem sepse janë në aktualen e tyre dhe në atë që e thamë në fillim: janë në aktualen e vet të pa-opsion apo siç Deborah Welch Larson do të thoshte janë në ‘statusin e ideales’.
Kështu është edhe çështja e Asociacionit. Nuk kemi ne, ta themi në terma më të butë, një ideale tjetër. Kjo vetvetja jonë 1.5 milionëshe nuk e ka.
Hajde po i bashkëngjitemi logjikës dhe çjerrjeve të turmave e të themi se qëndrimi i Kurtit është parimor duke qenë se thonë ata parimi i Kurtit është sovraniteti. Po, sovraniteti është parim i denjë dhe legjitim. Por, përdorimi i këtij parimi është tërësisht joparimor, dhe pretendimi është asgjë më pak sesa vetë izolimi. Shtojmë ca kontekstualizim dhe themi që për izolimin, Kurti nuk e ka legjitimitetin. Ai e ka legjitimitetin për ta integruar, anëtarësuar, faktorizuar ndërkombëtarisht shtetin tonë.
Sovraniteti i shtetit të Kosovës është ai i shekullit 21-të, dhe jo i shekullit 16-të kur janë kornizuar definicionet për shtetin. Dhe ky sovranitet sot është model i një qeverisjeje globale, respektivisht shteti sovran është shteti bashkëpunues dhe negociues.