Zyrtarët amerikanë kanë njoftuar për organizimin e takimeve të nivelit të lartë, me qëllim të planifikimit të samitit të dytë në mes të presidentit amerikan, Donald Trump dhe liderit verikorean, Kim Jong Un.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo pritet të takohet me ish-shefin verikorean të spiunimit, Kim Yong Chol në një hotel në Uashington.
Ky takim ka mundësi që do t’i hapë rrugë vizitës së Kimit në Shtëpinë e Bardhë për ta takuar presidentin Trump, kanë thënë disa zyrtarë në kushte anonimiteti për agjencinë e lajmeve AP.
Megjithatë, deri më tani as Shtetet e Bashkuara dhe as Koreja Veriore nuk kanë bërë të ditur ndonjë datë për takim.
Trump e ka përmendur disa herë mbajtjen e një samiti të dytë me Kimin dhe ka shkëmbyer një varg letrash me liderin verikorean, pavarësisht përparimit të zbehtë në procesin e denuklearizimit, ndonëse palët janë zotuar për rezultate më të mira në takimin e parë të mbajtur në Singapor vitin e kaluar.
Në një konferencë me diplomatë amerikanë në Departamentin amerikan të Shtetit, nënpresidenti i SHBA-së, Mike Pence ka pranuar mungesën e përparimit në këtë proces.
Ai e ka cilësuar dialogun Trump-Kim, “premtues” mirëpo ka theksuar se SHBA-ja është ende në pritje “të hapave konkret nga Koreja Veriore për shkatërrim të armëve bërthamore që kërcënojnë aleatët amerikanë në rajon”.
Procesi i denuklearizimit ka ngecur pas refuzimit të Koresë Veriore për të ofruar të dhëna të detajuara për hapësira bërthamore dhe ato raketore, në të cilat më pas do të anhazhoheshin vëzhgues me qëllim të arritjes së ndonjë pakti për shkatërrimin e tyre.
Përveç tjerash, Koreja Veriore ka kërkuar nga SHBA-ja, që të largojë sanksionet e ashpra ndaj verikoreanëve dhe të garantojë siguri, para se të marrë hapa fillestarë për pezullimin e testeve bërthamore apo të atyre raketore.