Gjatë ditëve të nxehta të korrikut në vendkalimet kufitare Kosovë-Shqipëri vihet re rritje e fluksit të qytetarëve kosovarë që drejtohen drejt bregdetit shqiptar.
Në dalje nga Kosova në Shqipëri në vendkalimin kryesor nëpër Autostradën e kombit, në Vërmicë-Morinë, mëngjesin e sotëm para orës 08:00 kishte radhë 100-120 metra, ndërsa nga ora 09:00 në radhë 20-30 metra kalohej për 10 deri 15 minuta.
Në hyrje nga Shqipëria në Kosovë nuk kishte radhë në orën 08:00, ndërsa nga ora 09:00 radha është 10-20 metra dhe kalohet pa pritje.
Në dy vendkalimet e tjera kufitare, Qafë Prushë dhe Qafë Morinë, si në hyrje edhe në dalje nuk ka kolona dhe kalohet për 1 deri 2 minuta, bën të ditur Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar.
Në 7 korrik, në kufirin Shqipëri-Kosovë u nënshkruan procedurat e përbashkëta të kontrollit kufitar në pikëkalimin kryesor nëpër autostradë Morinë-Vërmicë, në territoret respektive. Nënshkrimi u bë në anën kosovare, Vërmicë, nga dy drejtorët e përgjithshëm të policive, i Shqipërisë Haki Çako dhe i Kosovës, Shpend Maxhuni.
Në 29 qershor, qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për pikë të përbashkët të kontrollit kufitar me Republikën e Shqipërisë, në sezonin veror, raporton ATA.
Në 1 korrik ka nisur organizimi i shërbimeve të përbashkëta të policimit rrugor në Republikën e Shqipërisë gjatë sezonit veror, deri në 31 gusht, sipas memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar në 30 qershor në Prizren nga drejtorët e përgjithshëm të policive të Shqipërisë e Kosovës, Çako e Maxhuni.
Këtë verë fluksi në vendkalimet kufitare Kosovë-Shqipëri pritet të shënojë rritje të mëtejme në korrik e gusht krahasuar me qershorin dhe me vitet e kaluara që ishin gjithnjë me ngritje.
Gjatë tre muajve të verës 2015 – qershor, korrik e gusht, mes Shqipërisë e Kosovës kishte më shumë se 2.7 milionë (2732089) hyrje dalje të personave, sipas shifrave të njoftuara për ATSH nga Policia kosovare.