Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, do të bisedojë përmes telefonit me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, dhe do ta vizitojë Evropën Lindore në ditët e ardhshme në kohën kur Mbretëria e Bashkuar po i shton përpjekjet për ta zgjidhur krizën rreth Ukrainës.
Qeveria britanike tha se kryeministri do ta përsërisë nevojën që Rusia të angazhohet në mënyrë diplomatike, kur të flasë këtë javë me Putinin, shkruan BBC, përcjell Gazeta Express. “Ai do ta përsërisë nevojën që Rusia të bëjë hapa prapa”, thuhet në njoftim.
Kryeministri Johnson ka thënë se Britania do të mund të dërgonte trupa për t’i mbrojtur aleatët e NATO-s, nëse Rusia do ta pushtonte Ukrainën. Sidoqoftë, Ukraina nuk është pjesë e NATO-s dhe Rusia do garanci nga Perëndimi që ky shtet kurrë nuk do të anëtarësohet në aleancën ushtarake.
Përpos vizitës së Kryeministrit Johnson në rajon, sekretarja britanike e Punëve të Jashtme, Liz Truss, do ta vizitojë Moskën në dy javët e ardhshme, bëri të ditur Ambasada e Rusisë në Britani të Madhe.
Kryeministri britanik ka kërkuar nga zyrtarët e sigurisë dhe ushtrisë që t’i japin më shumë opsione për trajtimin e atij që qeveria në Londër e ka quajtur “agresion rus në rritje”. Kryeministri do t’i shqyrtojë këtë opsione në këtë fundjavë – përfshirë dërgimin e më shumë trupave britanike në vendet lindore të NATO-s.