Koronavirus po përhapet shpejtësi në Liverpool dhe frika është që numri i të prekurve të jetë shumë i madh. Portali “Liverpool Echo” ka drejtuar gishtin kundër ndeshjes së luajtur në Champions mes “The Reds” dhe Atletico Madrid. Si për ndeshjen Atalanta-Valencia, ka nisur të dyshohet se përhapja e virusit është lehtësuar nga ndeshja e Champions League, që është luajtur me dyer të hapura.
“Në atë moment kishte raste me koronavirus në Madrid dhe Atletico kishte marrë një urdhër për t’i luajtur ndeshjet në shtëpi me dyer të mbyllura. Shumë kanë kritikuar vendimin, por si UEFA, ashtu edhe qeveria angleze nuk kanë marrë asnjë masë në atë kohë dhe ndeshja është luajtur normalisht”, shkruan portali pranë klubit të të kuqve.
ish-përgjegjësi i Shëndetit Publik të Liverpoool-it, John Ashton, ka thënë se numri i madh i tifozëve spanjollë të pranishëm në qytet ka kontribuar në rritjen eksponenciale të infektimeve.
“Ka qenë një vendim i turpshëm dhe tani po shikojmë pasojat në Liverpool. Duhet të presim një tjetër valë infektimesh pas kësaj, që ka ardhur për shkak të atyre tifozëve.
Do të ketë kohë për të bërë akuza më vonë, tani duhet të nxjerrim mësim nga ajo që ka ndodhur dhe të kuptojmë atë që duhet të bëjmë për të ndihmuar vendin. Duhet të bëjmë më shumë për të mbrojtur ata që punojnë në vijë të parë kundër virusit”, deklaroi Ashton.