Media të shumta në Kosovë, tash e sa kohë janë bërë cak i sulmeve kibernetike.
Disa prej këtyre sulmeve kanë ardhur nga adresa jashtë Kosovës, siç ka qenë njëra prej tyre nga Gjermania.
Si pasojë e kësaj, platformat e tyre në rrjetet sociale kanë qenë të bllokuara për një kohë të caktuar.
VOX Kosova, Insajderi, Veriu.Info, e disa media të tjera kanë qenë cak i këtyre sulmeve, për çka edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet.
Ky organ hetues e akuzues ka njoftuar se pas pranimit të informatave lidhur me sulmet kibernetike ndaj Portalit ‘’Vox Kosova’’, të cilat kanë rezultuar me mbylljen e llogarive të tij në rrjetet sociale, dy herë në Facebook, Instagram dhe TikTok, ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme ligjore.
“Këto veprime përfshijnë grumbullimin dhe sigurimin e provave relevante, si dhe identifikimin e personave të dyshuar që mund të jenë të përfshirë në këto sulme kibernetike.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Gjithashtu, të shqetësuar me këto sulme, janë shprehur edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
Në një reagim, AGK-ja i ka dënuar fuqishëm këto sulme ndaj Vox Kosova, e që minojnë lirinë e medias dhe shprehjes në Kosovë, dhe kanë për qëllim pengimin e shpërndarjes së lirë të informacionit.
AGK-ja ka ftuar Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë që të zhvillojnë hetimet e nevojshme, për të gjetur dhe dënuar autorët e sulmeve.
“Gjithashtu, kërkohet rritje e nivelit të bashkëpunimit me organet kompetente nga Gjermania, prej nga është identifikuar se vijnë sulmet.”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Ndërkaq, drejtuesi i VOX Kosovës, Lirim Mehmetaj, ka reaguar sërish, pasi mediumi i tij ka qenë cak i sulmeve kibernetike.
“Fillimisht pata besu që sulmuesit janë veç keqbërës të zakonshëm që kërkojnë të përfitojnë financiarisht, por tashmë është e qartë që ky është sulm politik që shkon përtej financave. Njëherë kanë provu me na shpërfillë, pastaj me na diskreditu. S’ka funksionu as njëra e as tjetra. Tash janë kriminalizu deri në këtë masë si forma e vetme e ndaljes së shpërndarjes së të vërtetave për ta.”, ka thënë Mehmetaj.
Edhe Gazmend Morina që drejton Veriu.Info, ditë më parë kishte njoftuar se i ka rikthyer platformat në rrjete sociale, tek pas një muaji që ishin bllokuar.
“Ata qe na futen ne cak kibernetik, paraprakisht kishin krijuar ueb faqe te rrejshme (fake), duke publikuar “lajme” per gjoja financimin tone ndaj Milan Radojeciq, te cilin rast e pata paraqitur ne polici.”, kishte deklaruar Morina.
Ndërkohë, sipas ekspertëve, mbyllja e fundit e faqeve të disa mediave në Kosovë nuk është një rastësi e izoluar, por një sinjal i qartë për një problem në rritje që prek drejtpërdrejt funksionimin e medias në hapësirën digjitale.
Sipas drejtuesit të rrjeteve sociale në Klan Kosova, Diamant Bajra, raste si Veriu, Insajderi dhe Vox Kosova tregojnë se faqet mediale janë duke u përballur me metoda të ndryshme sulmi, të cilat shpesh çojnë në mbyllje të përkohshme apo edhe të përhershme të tyre.
“Nga analiza e rasteve konkrete dhe përvoja direkte në rikthimin e disa prej këtyre faqeve, rezulton se metodat kryesore të përdorura janë: Keqbërësit shfrytëzojnë mekanizmat e Meta duke raportuar përmbajtje si të paautorizuar. Edhe kur raportimet nuk janë të sakta, volumi dhe forma e tyre mund të aktivizojnë masa automatike ndaj faqes.”, ka thënë Bajra.
Ai ka shtuar se shumë media operojnë pa strukturë të qartë të pronësisë, kontroll të centralizuar përmes Business Manager, apo politika të forta të aksesit.
“Kjo i bën faqet të cenueshme ndaj ndërhyrjeve dhe manipulimeve. Mungesa e Meta Rights Manager ul ndjeshëm aftësinë për të mbrojtur përmbajtjen origjinale dhe për të reaguar në kohë ndaj abuzimeve. Në disa raste vërehen fushata të organizuara raportimi, ku një numër i madh llogarish raportojnë njëkohësisht faqen për shkelje të ndryshme. Sistemi i Facebook shpesh reagon ndaj volumit të raportimeve, duke aktivizuar masa automatike.”, ka thënë tutje Bajra.
Ndryshe, përveç rasteve të fundit, mediat në Kosovë vazhdimisht kanë qenë cak i sulmeve kibernetike, sidomos atëherë kur në to është raportuar për afera të ndryshme, përfshirë ato të krimit të organizuar, korrupsionit, apo veprave të tjera penale./klankosova.tv