110 mjekë kanë kërkuar certifikatë të kaluarës etike nga Oda e Mjekëve të Kosovës për largim jashtë vendit. Ndonëse ky numër është në rënie, nga Oda e Mjekëve kanë thënë për Ekonomia Online se numri mund të rritet vitin e ardhshëm.
E si shkak i kërkesës së madhe të tregut gjerman, janë rritur edhe kërkesat për numër më të madh të instituteve që ofrojnë kurse dhe provime për gjuhën gjermane në Kosovë.
Nënkryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Naser Gjonbalaj, ka thënë për Ekonomia Online se si shkak i rënies së këtij numri është edhe liberalizimi i vizave. Andaj, thekson se numri mund të rritet në vitin e ardhshëm.
“Këtë vit, numri i mjekëve të cilët kanë kërkuar certifikatë të kaluarës etike deri më tani është 110 mjekë, të cilët kanë kërkuar që pre supozohet që kanë lidhur kontratë pune në Gjermani, por trendi me vitet tjera ka një rënie, por këtu kemi të bëjmë edhe me liberalizimin e vizave dhe ndryshimin e politikave kryesisht në Gjermani që është bërë vitin e fundit. Është edhe trendi i liberalizimit dhe nuk është një numër i saktë dhe vitin e ardhshëm mundet me qenë një kërkesë më e madhe për arsye se kanë ndryshuar politikat kryesisht në Gjermani”, ka thënë Gjonbalaj.
“Më herët ka qenë që mjekët me marr vizë pune, vizë turistike e me shku me qëndrua dy javë, tani e kanë më të liberalizuar këtë pjesën për të shkuar për ta gjetur një vend ose një punë provuese. Gjermania e ka ulë kriterin e ka bërë një kriter tjetër, megjithatë shpresoj që trendi të jetë në rënie, por këto janë rrethanat”, u shpreh Gjonbalaj.
Ai shton se kërkesë për certifikatë të kaluarës etike kanë kërkuar mjekë të punësuar dhe të papunë.
“Janë një miks, nuk janë vetëm ata të cilët janë të papunë. Ata të cilët janë të papunë, kanë gjetur forma edhe të tjera deri në momentet që bëjnë kontrata por është një miks i tyre. Edhe Kosova nuk i ka shpëtuar trendit të gjithë Ballkanit që ka ndodh me liberalizimin e vizave ose me kërkesën e madhe, sidomos në Gjermani. Po flasim për Gjermani, kërkesa është jashtëzakonisht e madhe që ne jemi të preferuar, nuk është që jemi mbrapa në cilësi, megjithatë është shqetësuese për vendin sepse ne akoma në Kosovë kemi mungesë të mjekëve, nuk bëhet fjalë për mungesë të mjekëve vetëm QKUK-ja sepse QKUK-ja nuk është Kosovë, por po flasim për gjithë Kosovën, ka mungesë të mjekëve, mungesë sipas standardëve tona e lëre më sipas standardeve të Bashkimit Evropian”, u shpreh ai.
Në lidhje me këtë dukuri, Ilir Lenjani, mësimdhënës i gjuhës gjermane dhe themelues i Institutit “Deutschzentrum Kosovo”, ka thënë për Ekonomia Online se për të mësuar gjuhën kanë nga profile të ndryshme, por që mbizotëron ai i mjekësisë.
“Në kurs vijnë të profileve të ndryshme, duke filluar prej nivelit A1 ku kryesisht dominon bashkimi familjar, pra qëllimi i tyre është që të bëjnë bashkim familjar në vendet gjermano-folëse. Pastaj në nivelet e larta kemi kandidatë të ndryshëm. Në kohën e fundit është një trend ku kemi kursantë të cilët e mësojnë gjuhën për t’u punësuar në Kosovë, qofshin ato ‘call center’ apo ndoshta edhe në ndonjë biznes që është gjermano-folës këtu në Kosovë”.
“Tjetri profil i cili tanimë është shumë i kërkuar në Gjermani ka të bëjë me mjekësi. Aty kemi shumë mjekë e infermierë të cilët pastaj e ndjekin tutje kursin deri në nivelet B2 ose C1. Varësisht prej regjionit ku ata mendojnë të shkojnë duhet edhe niveli”, ka thënë Lenjani, teksa ka treguar edhe për numrin e mjekëve e infermierëve që aktualisht janë në proces të të mësuarit të gjuhës gjermane.
“Nga tri qendrat që i kemi, nëse e marrin një numër janë afër 150 kandidatë të cilët janë duke e ndjekur kursin dhe që e kanë synim Gjermaninë apo Austrinë, ku për qëllim e kanë punësimin atje si mjekë ose infermierë”, u shpreh Lenjani.
E njëra prej kandidatëve që mendon punësimin jashtë vendit është Erona Haxholli. Ajo shprehet e zhgënjyer me mungesën e perspektivës së ofruar nga shteti i Kosovës.
“Kam ardh kurs të gjuhës gjermane për ta perfeksionuar si gjuhë. Arsyeja kam për të bërë bashkim familjar edhe jam duke e mësuar jo veç për bashkim familjar, mirëpo kam synime edhe me vazhdua studimet atje dhe me punu ndonjë punë çfarëdo qoftë ajo. Ende nuk e kam përcaktuar se çka dua, jam në kërkim të asaj mirëpo deri sa ta gjej vetën në njërën prej atyre profesioneve. Besoj se një përqindje e madhe e kanë të njëjtën mendim sikurse unë, për atë arsye edhe shumë studentë e gjenerata të reja janë duke ikur nga Kosova, për shkak të pagave”, ka thënë Haxholli.