Numri i të uriturve në botë po rritet, sepse njerëzit po vuajnë pasojat e konflikteve dhe ndryshimeve klimatike.
“Të dhënat paraprake për këtë vit tregojnë se numri i njerëzve të kequshqyer përsëri nisi të rritet”, tha Jose Graziano da Silva, kreu i FAO-s – Organizatës së OKB-së për Ushqim dhe Bujqësi, transmeton Telegrafi.
Ai nuk ka paraqitur një shifër të saktë për këtë, por ka thënë se të dhënat përfundimtare do të publikohen në shtator.
“Për fat të keq, ky nuk është lajm i mirë”, ka shtuar ai.
Numri i njerëzve të cilët nuk kanë ushqim të mjaftueshëm, në periudhën 2014-2016 ishte 795 milionë. Nga FAO thonë uria nuk është befasi kur dihet se miliona njerëz vuajnë nga luftimet dhe thatësirat në Sudanin Jugor, Nigeri, Somali dhe Jemen.
“Rreth 60 për qind e njerëzve në botë që vuajnë nga uria, jetojnë në zonat e prekura nga konfliktet dhe efektet e ndryshimeve klimatike”, tha ai.
Eliminimi i urisë deri më 2030 ishte një nga caqet kryesore të OKB-së të cilin vendet anëtare e kanë miratuar më 2015.