Ministria e Shëndetësisë është duke i diskutuar masat anti-COVID të cilat janë në fuqi dhe mundësinë e rishikimit të tyre, konform situatës epidemiologjike në vend.
Të mërkurën është mbajtur takimi ndërmjet Komisionit Këshillëdhënës për masa dhe Komitetit për Koordinim dhe vlerësim të situatës me COVID-19.
Këtë për Express e ka konfirmuar këshilltari politik në Ministrinë e Shëndetësisë, Drin Podrimqaku.
“Dje është mbajtur takimi i komisionit këshillëdhënës për masa dhe Komiteti për Koordinim dhe vlerësim të situatës me pandeminë COVID-19, ku janë ofruar rekomandimet e ekspertëve shëndetësorë në përballjen me COVID-19”, ka deklaruar Podrimqaku.
Podrimqaku tha se masat anti-COVID po diskutohen edhe me ministritë tjera dhe se vendimi për to do të merret gjatë ditëve në vijim.
“Ato po diskutohen me ministritë e linjës dhe hisedarët e tjerë. Masat do te kalibrohen konform situatës si zhvillohet”, ka deklaruar ai.
Podrimqaku nuk ka treguar nëse është rekomanduar të merren masa strikte apo të vazhdohet me masat aktuale, por tha se masat do të merren konform situatës epidemiologjike.
Gjatë ditëve të fundit numri i rasteve pozitive me koronavirus ka filluar të rritet. Aktualisht janë 872 raste aktive me COVID-19.
Po ashtu, në Kosovë janë konfirmuar edhe raste me variantin Omicron të koronavirusit.
Masat aktuale kanë hyrë në fuqi nga data 1 dhjetor e vitit të kaluar. Disa prej tyre janë kufizimi i lirisë së lëvizjes, kufizimi i orarit të punës së gastronomisë e moslejimi i hyrjes në Kosovë për personat e pavaksinuar.
Sipas këtyre masave, qytetarët janë të lirë të lëvizin nga ora 05:00 e mëngjesit deri në orën 00:00. Lokalet e gastronomisë lejohen të punojnë deri në orën 23:00.
Nga 3 janari i vitit 2022, shtetasit e huaj që duan të hyjnë në Kosovë duhet të kenë certifikatën me dy dozat e vaksinës anti-Covid.
Ndryshe, Asociacioni i Komunave të Kosovës sot ka deklaruar se po anashkalohet sa i përket konsultave rreth situatës me pandeminë.
“Kjo tregon se AKK u përjashtua edhe një herë nga ky komitet, i cili nga komunat cilësohet si mekanizëm shumë i rëndësishëm në luftën për parandalimin e përhapjes së COVID 19. Komunat e Republikës së Kosovës edhe një herë ftojnë Qeverinë e Kosovës të bashkëpunojë ngushtë dhe sinqertë sepse numri i rasteve me COVID 19 është në rritje dhe një injorim i tillë i komunave është i pajustifikueshëm”, thuhet ne reagimin e AKK-së.