Mos përkthimi i shkresave të lëndës në gjuhën serbe dhe mos dorëzimi i tyre me kohë tek të gjithë të akuzuarit, ka bërë që të dështojë mbajtja e shqyrtimit fillestar ndaj tre zyrtarëve policor nga stacioni i Leposaviqit, Ana Vasoviq-Baraq, Veroljub Dimitrijeviq, Izet Uskoviq, Aleksandër Dimitrijeviq dhe Darko Saviq, të akuzuar për disa vepra penale.
Tre zyrtarët policor Ana Vasoviq-Baraq, Veroljub Dimitrijeviq dhe Izet Uskoviq po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal, lidhur me keqpërdorimi të pozitës zyrtare dhe për marrje ryshfeti.
Ndërsa, Aleksandër Dimitrijeviq dhe Darko Saviq po akuzohen nga PSRK-ja për kontrabandë me mallra dhe dhënie të ryshfetit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën e së martës, mbrojtësi i të akuzuarit Veroljub Dimitrijeviq, avokati Milos Deleviq, e ka njoftuar gjykatën se shkresat e lëndës nuk i ishin përkthyer komplet në gjuhën serbe, atij dhe klientit të tij, çka tha se ia pamundëson atij ofrimin e një mbrojtjeje efektive, duke propozuar shtyrjen e këtij gjykimi.
“Përkundër vullnetit më të mirë për ta njohur dhe përvetësuar gjuhën shqipe, unë nuk jam në gjendje që t’ia ofroj mbrojtjen më të mirë të mbrojturës sime derisa të mos përkthehet materiali komplet në gjuhën serbe. I kam 23 parashtresa të pa përkthyera në gjuhën serbe dhe konsideroj se nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e kësaj seance”, tha avokati Deleviq.
Deklarim të ngjashëm pati edhe mbrojtësi i të akuzuarës, Ana Vasoviq-Baraq, avokati Faruk Korenica, i cili tha se e mbrojtura e tij vetëm sot kishte pranuar aktakuzën, duke shtuar se ajo ka të drejtë në kohë të mjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes.
Sipas avokatit Korenica, prokuroria dhe gjykata kanë shkelur në mënyrë flagrante dispozitat e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutës sonë, duke mos përkthyer shkresat dhe duke mos caktuar seancën fillestare brenda afatit ligjor.
Lidhur me këto pretendime të mbrojtjes, prokurori special Burim Qerkini tha se deklaratat në Prokurori Speciale janë dhënë me përkthim në gjuhën shqipe, por që brenda kësaj jave do të sigurohej përkthimi i shkresave në gjuhën serbe.
Më pas, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Albina Shabani-Rama mori vendim që të aprovonte propozimet e avokatëve Deleviq dhe Korenica, për shtyrjen e kësaj seance.
“Gjykata merr vendim që me kërkesën e mbrojtësit Veroljub Dimitrijeviq, avokatit Milos Deleviq dhe avokatit Faruk Korenica, me arsyetimin se nuk i posedojnë të gjitha shkresat e lëndës dhe ato që i posedojnë nuk i kanë në gjuhën serbe dhe gjithashtu se e akuzuara Ana nuk ka asnjë shkresë të lëndës dhe aktakuzën e ka pranuar sot, atëherë gjykata aprovon kërkesën e tyre” tha gjykatësja.
Seanca e radhës u caktua të mbahet më 26 qershor, nga ora 10:00.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 23 prill 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj Ana Vasoviq-Baraq, Veroljub Dimitrijeviq, Izet Uskoviq, për shkak të veprave penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, nga neni 283, paragrafi 1 të KPRK-së, lidhur me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 2, nën paragrafi 2.3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe “Marrja e ryshfetit”, nga neni 429 paragrafi 2 të KPRK-së, ndaj Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq për veprën penale “Kontrabandë me mallra”, nga neni 317, paragrafi 1 të KPRK-së dhe “Dhënia e Ryshfetit”, nga neni 429, paragrafi 2 të KPRK-së.
Sipas aktakuzës së ngritur nga PSRK-ja, Ana Vasoviq-Baraq, Veroljub Dimitrijeviq dhe Izet Uskoviq akuzohen se nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi, në bashkëpunim edhe me të pandehurit Rade Radosavljeviq, Milan Jovanoviq dhe Dragan Radojeviq, të cilët gjenden në arrati, duke vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar me hierarki në grup dhe me role të përcaktuara, nën udhëheqjen e të pandehurit Rade Radosaljeviq, komandant i stacionit në SPMK Leposaviq, ashtu që të gjithë të pandehurit në vazhdimësi dhe në bashkëpunim ndërmjet veti, me dashje dhe me qëllim të përfitimit pasuror dhe veprimtarisë së përgjithshme të grupit kriminal të organizuar ose qëllimit të grupit për të kryer një apo më shumë vepra penale të dënueshme me së paku katër vjet burgim, aktivisht merr pjesë në veprimtaritë kriminale të grupit.
Gjithnjë sipas aktakuzës, të pandehurit e lartcekur akuzohen se kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë përmbushë detyrat zyrtare të tyre, me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete ose për personat tjerë, duke lejuar dhe mundësuar kontrabandimin e mallrave të ndryshëm dhe atë si mallra ushqimor, transportin e drunjëve, barnave dhe derivateve, nga Serbia për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, nëpërmjet rrugëve ilegale.
Prokuroria pretendon se Ana Vasoviq-Baraq, Veroljub Dimitrijeviq dhe Izet Uskoviq, derisa kanë qenë në detyrë zyrtare ,duke mbikëqyrë rrugët e brezit kufitar në fshatrat Mure, Sharpel dhe Tresava, ashtu që kanë bashkëpunuar edhe me të pandehurit Aleksandër Dimitrijeviq, Darko Saviq dhe persona të tjerë, si transportues të mallrave, ku nga të njëjtit për kalimin e automjeteve me mallra kanë pranuar shuma të ndryshme të parave për të vepruar në kundërshtim me detyrën zyrtare, sipas tarifave të përcaktuara për çdo automjet dhe atë nga 20 euro për vetura të vogla, 30-50 euro për furgona dhe 100-150 euro për çdo kamion.
Gjithnjë sipas prokurorisë, një pjesë të këtyre parave ata e kanë marrë për vete, një pjesë e parave ka shkuar për udhëheqësin e grupit-komandantin e stacionit, tani të pandehurin Rade Radosavljeviq, ku kanë pas obligim që secili ndërrim të paguaj dhe atë në baza mujore shumën prej 700 euro, ndërsa pjesa tjetër është ndarë tek policët e ndërrimit, e që këtë shumë të parave e kanë marrë direkt nga ana e kontrabanduesve apo edhe në vende të caktuar ku ata janë udhëzuar që t’i lënë, si tek pompa e derivateve “Çekalic”, dyqani “Te Mira”, si dhe në veturën e tani të pandehurit Millan Jovanoviq-Llaki, me ç’rast kanë përfituar shuma të konsiderueshme të parave dhe i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material buxhetit të Republikës së Kosovës.
E akuzuara Ana Vasoviq-Baraq akuzohet se duke vepruar si anëtare e grupit kriminal dhe si person zyrtar në Policinë e Kosovës, saktësisht udhëheqëse e ndërrimit në SPMK-Leposaviq, ka marrë pjesë aktive në kryerjen e këtyre veprave penale, duke bashkëpunuar me të pandehurit e tjerë si dhe me kontrabanduesit, në atë mënyrë që dhe pas komunikimit dhe marrëveshjes me ta ka dhënë udhëzimet për kohën dhe vendin ku duhet të kalojnë dhe nga ta ka pranuar shuma të ndryshme të parave, qoftë personalisht apo në vende të caktuara, ku një pjesë e ka mbajtur për vete dhe pjesën tjetër për komandantin e stacionit-udhëheqësin e grupit Rade Radosavjleviq.
I akuzuari Veroljub Dimitrijeviq akuzohet se duke vepruar si anëtarë i grupit kriminal dhe si person zyrtar në Policinë e Kosovës, polic patrullues në SPMK-Leposaviq, ka marrë pjesë aktive në kryerjen e këtyre veprave penale duke bashkëpunuar me të pandehurit e tjerë si dhe me kontrabanduesit, në atë mënyrë që ka zbatuar udhëzimet e shefave të ndërrimit dhe komandantit të stacionit dhe pas komunikimit me të njëjtët, i ka udhëzuar kontrabanduesit se në cilat vende dhe në çfarë kohe të kalojnë, ku nga ta ka marrë shuma të ndryshme të parave dhe një pjesë të shumës e ka mbajtur për vete, kurse pjesën tjetër e ka dorëzuar për udhëheqësit e ndërrimeve dhe komandantin e stacionit-udhëheqësin e grupit Rade Radosavljeviq.
I akuzuari Izet Uskoviq akuzohet se duke vepruar si anëtar i grupit kriminal dhe si person zyrtar në Policinë e Kosovës, zëvendës i udhëheqësit të ndërrimit në SPMK-Leposaviq, ka marrë pjesë aktive në kryerjen e këtyre veprave penale duke bashkëpunuar me të pandehurit e tjerë, e sidomos me të pandehurin Dragana Radojeviq, të cilin e ka pas epror ku ka zbatuar udhëzimet e tij dhe të komandantit të stacionit, duke udhëzuar kontrabanduesit se në cilat vende të kalojnë, duke marrë shuma të ndryshme të parave dhe duke shkuar në vende të caktuara për të mbledhë shumat e parave e të cilët kontrabandistët i kishin lënë dhe të njëjtat shuma i ka dorëzuar për udhëheqësin e ndërrimit dhe komandantin e stacionit-udhëheqësin e grupit, Rade Radosavljeviq.
Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit se kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”.
Sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq akuzohen se që nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi, me qëllim të përfitimit material të kundërligjshëm kanë kontrabanduar mallra, dhe atë mallra ushqimorë, transportin e drunjëve, barnave dhe derivateve, nga Republika e Serbisë për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, duke iu shmangur kontrollit doganor dhe tarifave doganore me rastin e importimit apo eksportimit të mallrave, në atë mënyrë që duke bashkëpunuar me tani të pandehurit Rade Radosavljeviq, Milan Jovanoviq, Ana Vasoviq Baraç, Izet Uskoviq dhe Dragan Radojeviq, në cilësinë e personave zyrtarë në Policinë e Kosovës në SPMK-Leposaviq, me ç’rast kanë përfituar shuma të konsiderueshme të parave dhe i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material buxhetit të Republikës së Kosovës.
Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq se kanë kryer veprën penale “Kontrabandë me mallra”.
Sipas dispozitivit të tretë të kësaj aktakuze, Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq akuzohen se që nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi, me qëllim të kalimit të mallrave kontrabandë nga Republika e Serbisë për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, u kanë dhënë shuma të parave apo përfitim tjetër personave zyrtarë-policëve të SPMK në Leposaviq, në mënyrë që personat zyrtarë të veprojnë ose të mos veprojnë në kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare, ku me të njëjtit janë dakorduar që me rastin e kalimit të mallrave të paguajnë shuma të parave sipas tarifave të përcaktuara për çdo automjet, dhe atë nga 20 euro për vetura të vogla, 30-50 euro për furgona dhe 100-150 për çdo kamion, që këto shuma të parave i kanë paguar tek zyrtarët policorë, por edhe i kanë lënë nëpër vende të caktuara si tek pompa e derivateve “Cekaliç”, dyqani “Te Mira”, si dhe në veturën e tani të pandehurit Millan Jovanoviq-Llaki, ku pas hetimit nga ana e policisë edhe janë arrestuar.
Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq se kanë kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit”. /BetimipërDrejtësi