Shtyhet gjykimi për vrasjen e thikë në Fushë-Kosovë, shkak mospajisja e avokatit të njërit të akuzuar me shkresa të lëndës

Prishtinë | 04 Mar 2025 | 15:40 | Nga Ekonomia Online

 Seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj Labinot Bajramit dhe Atdhe Musliut të akuzuar për vrasjen e A.H., me thikë në Fushë-Kosovë më 2023, u shty pasi që mbrojtësi i ri i Bajramit, avokati Xhemajl Ademaj tha se nuk ka asnjë shkresë të lëndës pas marrjes së autorizimit për përfaqësim.

Avokati Ademaj sqaroi se i është drejtuar me kërkesë Prokurorisë për pajisje me shkresa të lëndës, mirëpo ka pranuar vetëm një përgjigje se do të barten në CD, dhe se më nuk ka pranuar përgjigje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërkaq, prokurori i rastit Armend Hamiti tha se avokatin e parë të Bajramit, Valdet Zeqirin e kishin pajisur me shkresa të lëndës dhe se rregullat specifikojnë se tash e tutje Ademaj duhet t’i kërkojë shkresat nga avokati Zeqiri.

Avokati Ademaj tha se nga ajo që i është thënë nga familja e të akuzuarit Bajrami, obligimet ndaj mbrojtësit paraprak Zeqiri i kanë kryer, ndërkaq shkresat e lëndës nga i njëjti nuk i ka pranuar.

Ndërkaq, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Behar Ejupi kërkoi që seanca të vazhdojë pasi që nuk ka autorizim që avokati Zeqiri më nuk është avokat i Bajramit.

Mirëpo, kryetari i trupit gjykues Gent Beka pyeti të akuzuarin Bajrami, i cili tha se më nuk e ka mbrojtës Zeqirin dhe se përkrah avokatin Ademaj që seanca të shtyhet, në mënyrë që avokati të përgatitet për seancë pasi që të pranojë shkresat e lëndës.

Më pas, Gjykata vendosi që seanca të shtyhet për datë tjetër, duke i kërkuar avokatit të ri të Bajramit, që të pajisjet me shkresat e lëndës në mënyrë që të mos dështojë për të njëjtat shkaqe seanca e radhës.

Në seancën e 20 qershorit 2024, ishte propozuar të bëhet bashkimi i procedurës penale ndaj dy të akuzuarve.

Andaj, më pas, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Gent Beka kishte njoftuar se në këtë çështje penale është bërë bashkimi i procedurës penale ndaj të pandehurit Atdhe Musliu, për të cilin ka qenë duke u vazhduar procedurë e veçantë. Kështu, ndaj dy të pandehurve Labinot Bajrami dhe Atdhe Musliu procedura do të vazhdojë si një.

Ndryshe, më 5 shtator 2023 i akuzuari Musliu e kishte pranuar fajësinë, kurse i akuzuari Bajrami ishte deklaruar i pafajshëm. Andaj, ndaj të akuzuarit Musliu ishte veçuar procedura, i cili ishte dënuar me 22 vite burgim, më 2 tetor 2023.  Ky aktgjykim ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit përmes aktgjykimit të 6 shkurtit 2024.

Ndërsa, Gjykata Supreme përmes aktgjykimit të 27 majit 2024 e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe atë të Gjykatës së Apelit për të akuzuarin Atdhe Musliu, duke e kthyer çështjen në rigjykim.

Sipas aktakuzës së ngritur më 9 gusht 2023, të akuzuarit Atdhe Musliu dhe Labinot Bajrami më 12 shkurt 2023, në rrugën “Pjetër Budi” në Fushë-Kosovë, për shkak të mosmarrëveshjeve të atëçastshme, fillimisht i akuzuari Bajrami e ka sulmuar dhe goditur me grushte e shqelma dhe me sende të forta të dëmtuarin A.H., i cili tenton të ikë t’i shmanget sulmit, por të akuzuarit Atdhe dhe Labinot e ndjekin dhe vazhdojnë përsëri ta godasin me grushte e shqelma dhe me sende të forta, e më pas me qëllim të privimit nga jeta, i akuzuari Musliu e ka goditur me thikë në pjesën e kraharorit – anën e majtë, duke e privuar nga jeta të dëmtuarin- tani të ndjerin A.H.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerjeje të akuzuarit Musliu dhe Bajrami kanë kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 172 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të dytë të së njëjtës aktakuzë, i akuzuari Musliu me datë, kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë, është gjetur se pa autorizim e në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ka mbajtur në pronësi armën – thikën, ku me vërtetimin mbi konfiskimin e përkohshëm të gjësendeve i është konfiskuar.

Me këtë, Musliu akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK-së.  

Të ngjashme