Në Gjykatën Themelore në Prishtinë me kërkesë të mbrojtjes së të akuzuarve Atdhe Musliu dhe Labinot Bajrami, është shtyrë seanca fillestar e paraparë të mbahej të hënën, në rastin ku Musliu dhe Bajrami po akuzohen se në bashkëkryerje privuan nga jeta A.H. duke e goditur me thikë në kraharor.
Në fillim të seancës, mbrojtësi i të akuzuarit Musliu, avokati Taulant Broqi ka deklaruar se nga prokurori Armend Hamiti ishte njoftuar të enjten se ishte ngritur aktakuza dhe që duhej të pajisen me shkresa të lëndës, por për shkak kohës së shkurtër të njoftimit nuk kanë mundur të pajisen, prandaj nuk ishin të gatshëm të deklarohen në këtë seancë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Andaj, i njëjti i ka propozuar gjykatës që seanca e sotme të shtyhet për një datë tjetër.
Po ashtu, mbrojtësi i të akuzuarit Bajrami, avokati Valdet Zeqiri ka propozuar që seanca e sotme të shtyhet, me arsyetimin se nuk ishin pajisur me të gjitha shkresat e lëndës, përkatësisht CD.
Të akuzuarit Musliu dhe Bajrami kanë mbështetur në tërësi propozimin e mbrojtësve të tyre.
Ndërkaq, prokurori Armend Hamiti fillimisht ka bërë një përmirësim teknik në aktakuzë, ashtu që Shqipe Kryeziu është edhe e dëmtuar dhe dëshmitare.
Ndërsa sa i përket CD, prokurori Hamiti ka sqaruar se nuk kanë mundur të barten për shkak se edhe në konsultim me IT, DVD nuk janë duke mundësuar që të barten materialet e që është provuar edhe DVD tjera por deri më sot ka qenë e pamundshme.
Ndërsa, sa i përket kërkesës së mbrojtjes për shtyrje të seancës, i njëjti nuk e kundërshtoi.
Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Behar Ejupi tha se si palë e dëmtuar janë të interesuar që në këtë çështje penale të procedohet duke mos bërë shkelje të Kodit të Procedurës Penale. Ai tha se pala e dëmtuar është e interesuar që gjendja faktike të vërtetohet drejt dhe të merret parasysh parimi i ekonomizimit që çdo shkelje eventuale mund të rezultojë në prishje të aktgjykimit të shkallës së parë nga gjykata e shkallës së dytë, nëse ka ankesë.
Më pas, gjykatësi Ngadhnjim Arrni mori aktvendim, me të cilin aprovoi propozimin e mbrojtësve të të akuzuarve që shqyrtimi fillestar të caktohet për një datë tjetër.
Seanca e radhës për këtë çështje penale u caktua më 5 shtator 2023.
Sipas aktakuzës së ngritur më 9 gusht 2023, të akuzuarit Atdhe Musliu dhe Labinot Bairami më 12 shkurt 2023, në rrugën “Pjetër Budi” në Fushë-Kosovë, për shkak të mosmarrëveshjeve të atëçastshme, fillimisht i akuzuari Bajrami e ka sulmuar dhe goditur me grushte e shqelma dhe me sende të forta të dëmtuarin A.H, i cili tenton të ikë t’i shmanget sulmit, por të akuzuarit Atdhe dhe Labinot e ndjekin dhe vazhdojnë përsëri ta godasin me grushte e shqelma dhe me sende të forta, e më pas me qëllim e privimit nga jeta, i akuzuari Musliu e ka goditur me thikë në pjesën e kraharorit – anën e majtë, duke e privuar nga jeta të dëmtuarin- tani të ndjerin A.H.
Me këtë, akuzoehse në bashkëkryerjeje të akuzuarit Musliu dhe Bajrami kanë kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 172 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Sipas dispozitivit të dytë të së njëjtës aktakuzë, i akuzuari Musliu më datë, kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë, është gjetur se pa autorizim e në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ka mbajtur në pronësi armën – thikën, ku me vërtetimin mbi konfiskimin e përkohshëm të gjësendeve i është konfiskuar.
Me këtë, Musliu akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi