Në Gjykatën e Lartë në Podgoricë filloi gjyqi për komplotin e sulmeve terroriste në Malit të Zi në ditën e zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar. Megjithatë, me kërkesë të Mbrojtjes, e cila ka kërkuar tërheqjen e prokurorëve Milivoja Katniç dhe Sasha Çagjenoviç, është shtyrë seanca e sotme dhe e njëjta do të vazhdojë nesër.
Në seancën, e cila zgjati vetëm dhjetë minuta të pranishëm ishin udhëheqësit e akuzuar të Frontit Demokratik Andrija Mandiç dhe Milan Knezheviç, si dhe të akuzuarit në këtë rast të cilët aktualisht janë në paraburgim në Spuzh.
Ndërsa të akuzuarit Eduard Shishmakov, Vladimir Popov, Predrag Bogiçeviç dhe Nemanja Ristiç, do të gjykohen në mungesë.
Andrija Mandiç, para fillimit të gjykimit u tha gazetarëve se procesi që fillon sot në Gjykatën e Lartë, “I ngjason procesit të sulmuesve me bombë të vitit 1907”.
Ai tha se shpreson se do të thyej “akuzat e rreme” të prokurorit Special Milivoje Katniç dhe të ndalojë terrorin shtetëror ndaj FD-së, raporton Anadolu Agency (AA).
Prokuroria njoftoi se gjatë procedurës gjyqësore do të paraqesë 118 prova materiale dhe përgjime të 33 telefonatave të regjistruara gjatë masave të mbikëqyrjes sekrete.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale janë përfshirë dy shtetas rusë, Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov, shtetasit serbë Millosh Jovanoviç, Nemanja Ristiç, Predrag Bogiçeviç, Bratislav Dikiç, Kristina Hristiç, Branka Miliç, Milan Dushiç, Dragan Maksiç, Sërboljub Gjorgjeviç.
Në aktakuzë janë përfshirë edhe tre shtetas malazezë – Udhëheqësit e FD Andrija Mandiç dhe Milan Knezheviç, si dhe Mihailo Çagjenoviç, shoferi zyrtar i FD-së.
Sipas aktakuzës, më 16 tetor 2016 në Mal të Zi është parandaluar një grusht shteti. Sipas prokurorit Milivoje Kantiç, në natën e zgjedhjeve parlamentare ishte planifikuar futja në Kuvend si dhe arrestimi dhe likuidimi i ish-kryeministrit Milo Gjukanoviç.
Prokuroria beson se udhëheqësit e FD-së Andrija Mandiç dhe Milan Knezheviç janë bërë anëtarë të grupit i cili në territorin e Malit të Zi, Serbisë dhe Rusisë u formua nga dy agjentët rusë Eduard Shirokov (Shishmakov) dhe Vladimir Popov, me qëllim të rrëzimit të qeverisë.
Siç shkruhet në urdhërin e fundit për zgjerimin e hetimit, Andrija Mandiç kishte një rol të rëndësishëm në aktivitetet e grupit kriminal. Sipas udhëzimeve të organizatorëve të organizatës kriminale, lideri i FD-së ka rekrutuar njerëz që ishin të gatshëm të marrin pjesë në përgatitjen dhe organizimin e demonstratave masive dhe marrjes së dhunshme të ndërtesës së Kuvendit.
Një nga përgjegjësitë e liderëve të Frontit Demokratik ishte që të organizojnë protesta para Kuvendit të cilat do të përdoren për realizimin e planit kriminal dhe hyrjen me forcë në Kuvend.
Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Serbia ekstradimin e dy shtetasve të tyre Nemanja Ristiç dhe Predrag Bogiçeviç, të cilët dyshohen si organizatorë për të sjellë grupe që do të jenë të gatshëm të shkaktojnë kaos para Kuvendi. Kërkesa e autoriteteve malazeze ishte refuzuar.
Shtetasit serbë Aleksandar Aleksiç, Milosh Açimoviç dhe Perica Andriç më 17 shkurt në sallën e gjyqit të Gjykatës së Lartë pranuan se ishin pjesë e organizatës kriminale. Sipas deklaratave të tyre, plani ishte që të futen me forcë në ndërtesën e Kuvendit dhe të presin urdhra të mëtejshme nëse Fronti Demokratik do të humbiste zgjedhjet parlamentare.
Ata u dënuan me pesë muaj burg për veprën e krijimit të organizatës kriminale.