Ndeshja e vlefshme për javën e 20-të në Superligën e Kosovës në basketboll, mes Bashkimit dhe Pejës, nuk do të zhvillohet sot.
Kjo ndeshje ishte e paraparë për t’u zhvilluar këtë të diel, me fillim prej orës 17:00, në palestrën sportive “13 Qershori” në Suharekë.
Megjithatë, kjo ndeshje nuk filloi fare dhe është shtyrë tashmë zyrtarisht.
Deri te shtyrja e ndeshjes erdhi pasi pejanët nuk pranuan të luanin në kushtet e palestrës në Suharekë, duke u ankuar për temperaturat e ulëta që po mbizotëronin atje.
Vlen të theksohet se Bashkimi po i luan ndeshjet si vendas në Suharekë, pasi palestra “Sezai Surroi” në Prizren është duke u rinovuar, raporton GE.
Komisioni i Garave të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) do të caktojë një datë tjetër për këtë ndeshje.