Raportimi i rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Naser Sahiti në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, është shtyrë për javën tjetër, raporton Ekonomia Online.
Kjo shtyrje është bërë me kërkesë të vetë Sahitit, pasi tha se në këtë mbledhje mungoi ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm, Besfort Krasniqi.
“Ka qenë i ftuar sekretari, mirëpo sot i ka dalë një problem i papritur dhe nuk ka mundur as që të vijë në punë. Prandaj, kërkova që të shtyhet për javën tjetër, në mënyrë që të jemi më të kompletuar. Me shpresën që nuk do të prishë asgjë në agjendën e juaj, do të kisha rekomanduar që të vijmë javën e ardhshme, pasi do të jetë edhe sekretari, por edhe drejtori për financa”, ka thënë Sahiti para deputetëve.
Ai ka thënë se javën e ardhshme do ta kenë të gatshëm edhe Raportin e Progresit.
Kërkesës së tij iu përgjigjën pozitivisht deputetët. Hajdar Beqa nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se raportimi duhet të shtyhet për javën e ardhshme.
“Unë konsideroj që kërkesa e rektorit është e drejtë, unë besoj që rektori përveç të sekretarit duhet të marr në raportim edhe persona përgjegjës të tjerë”, ka thënë Beqa.
Sahiti dhe Krasniqi ishin ftuar në Komision për të raportuar në lidhje me të gjeturat e Zyrës së Përgjithshme të Auditorit në raportin për pasqyrat financiare vjetore të UP-së për vitin 2021. Në raport janë gjetur një sërë parregullsish, si keqklasifikim të shpenzimeve në vlerë prej 195.285 eurosh si dhe shkelje në procese të prokurimit.