Raportimi i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, në Komisionin Parlamentar për Integrim Evropian është shtyrë për javën e ardhshme, raporton Ekonomia Online.
Kjo për shkak se ndërmjet anëtarëve të Komisionit nuk është arritur dakordim lidhur me disa nga pikat e rendit të ditës.
Edhe Bislimi ka qenë i pajtimit që kjo mbledhje të shtyhet për javën e ardhshme.
Bislimi tha se sa i përket temës së fondeve të IPA-s është i gatshëm që këtë temë ta trajtojnë kur t’i kërkohet.
“Unë vlerësoj harmoninë për sa i përket kalimit të pikave për integrime evropiane dhe jeni të interesuar ta vazhdojmë bashkëpunimin”.
“Projekti ka dozë të ngutisë jam i gatshëm të njëjtën temë ta trajtojmë të premten e ardhshme”.
“Mendoj që tema kish mundur të trajtohet por e kuptoj insistimin e partive opozitare të ketë harmoni për projektet që kanë të bëjnë me marrëveshjen financiare ndërkombëtare.
Time Kadriaj nga AAK-ja tha se Bislimi e ka për obligim që të raportojë pas çdo kërkese të tyre.
“Zëvendëskryeministri e ka për obligim me raportuar dhe duhet t’i përgjigjet kërkesës së deputetëve. Na i kemi pasur shumë çështje për t’i ngritur sot”.
Blerta Deliu-Kodra nga PDK-ja tha se për këtë çështje do të diskutohet në një takim tjetër kur të gjithë janë të gatshëm për diskutim.
“Ne i kemi kontribuar një klime të mirë sa i përket miratimit të marrëveshjeve dhe kemi qenë të hapur t’i përkrahim marrëveshjet dhe pres ta shtyjmë në një takim të radhës kur ju të jeni të gatshëm të raportoni”.
“Ne po i dimë Arbreshë që i keni votat. Për t’i kontribuar një klimë të mirë vendosëm mu zhvendos të premten tjetër”.
Arbneshë Kryeziu nga VV-ja tha se javë tjetër do të votohet pika sa i përket miratimit të fondeve të IPA-s, raporton EO.
“Le ta përfundojmë IPA-n sot dhe të shkojmë një ditë tjetër për raportin për vendin. S’po më duket e arsyeshme me shtyrë një ditë tjetër”.
“E dimë rëndësinë e miratimit të këtyre fondeve dhe edhe pas një jave do ta votojmë”.