Rregullorja e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), Nr. 02/2024 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës është shtyrë, pasi Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative e ka aprovuar si të bazuar propozimin e paditësve propozues për shtyrje të ekzekutimit të kësaj rregulloreje, raporton Ekonomia Online.
Këtë gjë e ka konfirmuar për EO edhe avokati i paditësve, Ardian Bajraktari.
“Sot kam pranuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës ku është aprovuar propozimi ynë për shtyrjen e ekzekutimit të rregullores për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës”, tha Bajraktari përmes telefonit.
Tutje Bajraktari thekson se tashmë padisë i janë bashkuar edhe 136 punonjës të tjerë të SHSKUK-së, kryesisht të shërbimit dytësor shëndetësorë, dhe shprehet optimist,
“Në pajtim me nenin 264 të Ligjit për Procedurën Kontestimore, padisë i janë bashkuar edhe 136 punonjës të tjerë, dhe unë jam shumë optimist që i tille si ky vendim do të jetë edhe epilogu përfundimtar i këtij procesi, megjithatë duhet të presim verdiktin e Gjykatës”, u shpreh ai.