Shtyhet seanca ndaj katër të akuzuarve për sulm terrorist ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor

Prishtinë | 12 Jan 2024 | 11:01 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar të premten kërkesën e mbrojtësve të të akuzuarve – Dejan Pantiq, Milun Milenkoviq, Aleksander Vlajiq dhe Miomir Vakiq – për sulm terrorist që të shtyhet seanca fillestare. Arsye për këtë ishte se të akuzuarit nuk i kishin pranuar në tërësi shkresat e lëndës si dhe disa prej shkresave nuk ishin të përkthyera në gjuhën serbe.

Prokurori Special, Afrim Shefkiu, tha se është fakt se disa nga shkresat e lëndës nuk janë të përkthyera. Mirëpo, ai tha se në afat prej presë ditësh, Prokuroria mund t’i përkthejë të gjitha shkresat në gjuhën serbe, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pantiq, Milenkoviq, Vlajiq dhe Vakiq kanë dalë para Gjykatës Themelore në Prishtinë si të akuzuar për sulm terrorist ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në Mitrovicën e Veriut.

Mbrojtësi i të akuzuarit Dejan Pantiq, avokati Ljubomir Pantoviq ka thënë se nuk ekzistojnë kushte që të mbahet seanca përgatitore pasi pjesa më e madhe e shkresave nuk janë të përkthyera në gjuhën serbe.

Konsideroj se në këto rrethana të mbahet sot seanca përgatitore në këtë rast do të jetë e shkelur e drejta e të gjithë të akuzuarve. Propozoj që seanca e sotme të shtyhet dhe Prokuroria të detyrohet që mbrojtësve dhe të akuzuarve t’ju dorëzohen shkresat e kompletuara të lëndës, të përkthyera në gjuhën të cilën e flasin të pandehurit”, ka thënë avokati.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj ka kërkuar nga mediat të kenë kujdes që mos t’iu publikohen fytyrat të akuzuarve për shkak të prezumimit të pafajësisë.

Në aktakuzën të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi” thuhet se Pantiq, Milenkoviq, Vlajiq dhe Vakiq më 6 dhjetor 2022, në ora 14:39, kishin kryer sulmin terrorist ndaj zyrave të KKZ-së, duke hedhur granata dore dhe shok bomba.

Të ngjashme