Shtyhet seanca në Apel në rastin ndaj ish-kryeshefit të IPK-së dhe dy ish-drejtorëve të tjerë

Prishtinë | 10 Maj 2023 | 15:05 | Nga Ekonomia Online

Në Gjykatën e Apelit, të mërkurën është shtyrë gjykimi ndaj ish-kryeshefit të IPK-së, Fitim Shishani dhe dy ish-drejtorëve të tjerë Jetullah Aliu dhe Valbona Osmani për shkak se përfaqësuesi i palë së dëmtuar Q.V avokati Besnik Berisha nuk ishte i pajisur me ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 14 korrik 2022, kishte liruar nga akuza ish- kryeshefin e IPK-së, ndërsa kishte dënuar me nga një vit e pesë muaj burgim me kusht dy zyrtarë tjerë.

“Ne tash jemi në dijeni që ka ankesa të të akuzuarve edhe po besojë që sot edhe ashtu s’paska kushte sepse ne nuk na është dhënë mundësia me u përgjigj në ato ankesa, si janë ato elemente kush është përmbajtja e tyre edhe si e drejt minimale e të dëmtuarit është. Gjykata e shkallës së parë ka pas si detyrim. Unë tash po e kuptoj këtu që ka ankesë, kom mëndu që është veç e prokurorisë se për atë kemi qenë në dijeni por jo edhe për të akuzumve”, tha mbrojtësi i të dëmtuarit Q.V., Berisha.

Më pas kryetari i trupit gjykues Ferit Osmani e pyeti të njëjtin se a dëshiron që lënda të kthehet në rigjykim apo i njëjti të pajiset me këto ankesa, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Me ç’rast avokati Berisha deklaroj që dëshiron të pajiset me ankesa, pasi sipas tij, do të ishte rruga më e mirë sesa të kthehet sërish në gjykatën e shkallës së parë dhe të ekspedojnë.

Paraprakisht, në seancë kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Osmani deklaroj që, kundër aktgjykimit të shkallës së parë, ankesë në Apel ka parashtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, dhe mbrojtësit e të akuzuarve, Jetmir Aliu, avokati Skender Musa dhe Faton Hyseni, mbrojtësi i të akuzuarës Valbona Osmani, Florin Vertopi si dhe përgjigje në ankesë të prokurorisë i akuzuari Fitim Shishani dhe mbrojtësi i të akuzuarës Osmani, avokati Vertopi.

Gjykatësi Osmani tha se, ndaj këtij aktgjykimi ka bërë ankesë Prokuroria Themelore në Prishtinë për shkak të vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike lidhur me diapozitivin një të aktakuzës që i bie për pjesën lirues të aktgjykimit dhe për shkak të vendimit lidhur me pjesën dënuese të aktgjykimit.

Me ç’rast ka propozuar që përkitazi me pjesën një aktgjykimi të anulohet dhe lënda të kthehet në rigjykim apo rivendosje, ndërsa për të ankimuarin ose ta shpall fajtor ta ndryshoj aktgjykimin, t’i shqiptoj dënim të paraparë ligjor.

Kurse sa i përket të akuzuarve që janë shpallur fajtor kanë propozuar t’i shqiptohet dënimi më i rëndë me burgim.

Në anën tjetër, ndaj këtij aktgjykimi po ashtu ka bërë ankesë edhe mbrojtësi i të akuzuarit Jetullah Aliu, avokat Skender Musa dhe avokat Faton Hyseni dhe atë për shkak të shkeljeve esencial të dispozitave të procedurës penale, shkelje të Ligjit Penal dhe vërtetimit të gabuam të gjendjes faktike, ku kanë propozuar që ankesa të aprovohet si e bazuar, aktgjykimi ankimor të ndryshohet dhe të akuzuarit Aliu ta liroj nga akuza ose lëndën ta kthej në rigjykim.

Po ashtu, ankesë ka ushtruar edhe mbrojtësi i të akuzuarës Valbona Osmani, avokati Florin Vertopi për të gjitha bazat e specifikuara si më lartë, me propozim që ankesa të aprovohet si e bazuar, aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet dhe të e akuzuara të lirohet nga akuza, përgjegjësia penale ose lënda të anulohet dhe të kthehet në rigjykim dhe rivendosje.

Ndërsa, përgjigje në ankesë ka parashtruar i pandehuri Fitim Shishani dhe mbrojtësi i të akuzuarës Valbona Osmani, avokati Vertopi kundër ankesës së prokurorisë me propozim që të refuzohet ankesa e prokurorisë si e pabazuar dhe të vërtetohet aktgjykimi sa i përket pikës një të këtij aktgjykimi, ndërsa për pikën dy të refuzohet ankesa e prokurorit dhe të miratohet ankesa nga ana e mbrojtës së të akuzuarës Osmani.

Në këto rrethana, seanca e radhës u caktua më 25 maj 2023.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 4 nëntor 2019, i kishte liruar nga akuza, Fitim Shishanin, Valbona Osmanin dhe Jetullah Aliun, me arsyetimin se nuk ishte provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale që u vihej në barrë.

Mirëpo pas ankesës së prokurorisë, Gjykata e Apelit, më 27 prill 2020, e ka anuluar aktgjykimin e Themelores dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim dhe rivendosje.

Sipas aktakuzës së ndryshuar në qershor të 2019-ës, Fitim Shishani, Jetullah Aliu dhe Valbona Osmani , akuzohen se me 19 korrik 2013, nga ora 14:00 e deri me 20 korrik 2013, në orën 02:50, fillimisht në Ferizaj e pastaj në Prishtinë, në cilësinë e personave zyrtarë pranë Inspektoratit Policor të Kosovës, me dashje, në marrëveshje dhe konsultim mes veti, duke keqpërdorur detyrën dhe shkelur autorizimet zyrtare, kanë privuar kundërligjshëm nga liria të dëmtuarin Q.V, hetues policor në IPK dhe njëkohësisht e kanë privuar të njëjtin nga e drejta e kontaktit me familjen përmes telefonit.

Tutje, thuhet se në ditën kritike në ora 14:00, i akuzuari Aliu, së bashku me të akuzuarën Osmani, kanë shkuar në oborrin e një moteli, ku kanë hasur me të dëmtuarin Q.V, ku i akuzuari Aliu pa asnjë urdhër paraprak i ka sekuestruar të dëmtuarit revolen zyrtare, distinktivin dhe telefonin mobil.

Në aktin akuzues thuhet se pa autorizim të prokurorit dhe në konsultim me të akuzuarin Shishani, të akuzuarit Aliu dhe Osmani e kanë shoqëruar të dëmtuarin për intervistë si i dyshuar në stacionin policor në Ferizaj, duke e mbikëqyrur të njëjtin pas asnjë liri të lëvizjes së lirë.

Me ç’rast i dëmtuari Q.V është marrë në pyetje si i dyshuar nga një hetues policor, nga ora 16:00 deri në ora 17:00 përkundër autorizimit të prokurorit kujdestar i Prokurorisë Themelore në Ferizaj për të liruar të dëmtuarin.

Gjithmonë sipas aktakuzës e akuzuara Osmani, në konsultim me të akuzuarit Aliu dhe Shishani së bashku me dëshmitarin Burim Raqi, e kanë shoqëruar të dëmtuarin në zyrat e IPK në Hajvali, ku gjendej edhe i akuzuari Shishani, ku i Q.V pa pëlqimin e tij është mbajtur në një sallë të IPK, duke qenë vazhdimisht nën mbikëqyrjen e të akuzuarve Aliu dhe Osmani.

Tutje, thuhet se nuk është lejuar që i dëmtuari Q.V të largohet nga salla dhe nga ndërtesa e IPK-së, deri në ora 23:50, pas tetë orësh ndalimi, i njëjti është marrë nga hetuesit e DHTQNJ Prishtinë, të cilët janë konsultuar paraprakisht dhe në vazhdimësi me të akuzuarit Aliu dhe Osmani.

Me ç’rast, i dëmtuari thuhet se është intervistuar sërish nga hetuesi policor Besnik Haziraj në zyrat e kësaj drejtorie dhe në konsultim me të akuzuarën Osmani është liruar.

Për këto veprime, tre të akuzuarit akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Privimi i kundërligjshëm i lirisë”, nga neni 196, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 dhe lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Të ngjashme