Trupi gjykues në rastin “Banjska” ka vendosur që seanca e sotme të mos mbahet për shkak të mungesës së dëshmitares së radhës, Dragana Antonijeviq, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, tha se dëshmitarja nuk është paraqitur në gjykatë dhe ftesa për të nuk është pranuar në mënyrë të rregullt.
“Dragan Antojevic si duket nuk është paraqitur. Në bazë të provave të paraqitura në gjykatë, e njëjta nuk ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt. Konkretisht, për dëshmitaren e ka pranuar ftesën babai i saj, i cili me një farë forme e ka lënë të hapur mundësinë që ajo do të paraqitet në seancë. Me rastin e pranimit të ftesës, ai ka treguar se e njëjta gjendet në Serbi, po ashtu ka cekur një datë se kur mund të kthehet,” tha Hoti.
Ai shtoi se gjykata do të presë arsyetimin e mungesës së dëshmitares përmes dokumentacionit apo provave të besueshme, dhe më pas do të vendosë nëse ajo do të shoqërohet përmes organeve të policisë.
“Për këtë dëshmitare nuk ka arritur që ta arsyetojë mungesën. Gjykata ndërkohë do të presë që ta arsyetojë këtë mungesë në bazë të dokumentacionit apo dëshmive të besueshme, dhe pas saj do të merr vendim nëse e njëjta do të shoqërohet përmes organeve të policisë. Në këto kushte nuk do të mund të vazhdojmë seancën,” deklaroi ai.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, seanca e radhës do të mbahet më 27 tetor, ku pritet të dëgjohet dëshmitari nga Maqedonia e Veriut.
Ndërsa, një ditë më parë, para Gjykatës Themelore në Prishtinë dëshmoi dëshmitari anonim “A2” në seancë të mbyllur. Dëshmia është dëgjuar në seancë të mbyllur për publikun, pasi Prokuroria Speciale vlerësoi se dëshmitarit mund t’i rrezikohet siguria nëse flet në seancë publike.
Në këtë rast janë të propozuar tre dëshmitarë anonimë: “F1”, “A2”, “X1”.
E të hënën nuk ishte hera e parë që u mbyll seanca në emër të mbrojtjes së dëshmitarëve. E para dëshmitarit “A2”, më 21 korrik, gjykata në seancë të mbyllur e dëgjoi dëshmitarin “F1”.
Lidhur me dëshmitë e dëgjuara deri më tani nga dëshmitarët serbë, Rade Nedelkoviq, Ivan Filimonoviqit, Velko Iliq, Marko Saviq, vërejtje të mëdha ka dhënë avokati i të dëmtuarit, policit Alban Rashiti.
Avokati Naim Rudari ka parashtruar kallëzim penal kundër tyre.
Duke u gjykuar për kryerje të veprës terroriste për sulmin, ku u vra polici Afrim Bunjaku, janë tre të akuzuarit: Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Tolliq dhe Dushan Maksimoviq.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin ka refuzuar propozimin që gjykimi për 42 të akuzuarit e tjerë (41 persona fizikë dhe një person juridik) të akuzuar për sulmin terrorist në “Banjskë” të vazhdojë në mungesë.
Ndërsa, më 11 shtator të 2024-ës, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave – në mesin e tyre edhe Millan Radoiçiq – për sulmin e armatosur në Banjskë.
Të përfshirët, sipas aktakuzës kanë pasur role të ndryshme brenda grupit të tyre kriminal – “duke filluar nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi dhe shpëlarja e parave”.
“Në mesin e të akuzuarve kryesorë është edhe individi me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit, Millan Radoiçiq, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale”, pati dekalruar prokurori i rastit në konferencën për media të dhënë me 11 shtator të 2024-ës.
