Shtyhet sërish seanca ndaj aktivistëve të VV-së për protestën e 2015-ës, mungon Ylli Hoxha

Prishtinë | 23 Maj 2024 | 12:26 | Nga Ekonomia Online


Mungesa e të akuzuarit Ylli Hoxha, ka bërë që të dështojë sërish gjykimi ndaj aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me protestën e vitit 2015.

Ylli Hoxha, Premton Iberdemaj, Urim Hasani, Arbër Kaqorraj dhe Armend Loshaj ngarkohen se në dhjetor të 2015-ës gjatë një proteste iu kishin shkaktuar lëndime të rënda trupore dy policëve dhe kishin dëmtuar pronat e disa institucioneve në vlerë prej 20 mijë eurosh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Hoxha, avokati i tij Bekim Reçica bëri të ditur se i njëjti për shkaqe shëndetësore nuk është i pranishëm në seancë.

“Ylli tha që është tu u trajtu dhe ma ka dërgu një fotografi nga spitali, por s’është e mjaftueshme i kam thanë”, tha avokati Reçica, duke shtuar se i ka kërkuar që të sjellë edhe dokumentet mjekësore.

Kurse, gjykatësi Eroll Gashi tha se në rast se i njëjti nuk do të paraqitet në seancën e radhës, do ta shqyrtojë mundësinë e caktimit të masës së paraburgimit.

Po ashtu, gjykatësi Gashi e ka obliguar avokatin Reçica që në afat prej tri ditësh gjykatës t’ia dorëzojë raportin mjekësor, që do ta dëshmonte faktin se i pandehuri për shkak të gjendjes së tij shëndetësore nuk ka mundur të jetë i pranishëm në këtë seancë.


Në këtë seancë nuk ishin të pranishëm as dëshmitarët: Gani Obrazhda, Naim Berisha, Ixhevid Heta, Murat Hyseni, Naser Qerkezi dhe Sheremet Morina.

Ndryshe, edhe seanca e 25 janarit 2024 kishte dështuar për shkak të mungesës së Ylli Hoxhës dhe për shkak se mbrojtja e disa të akuzuarve nuk ishte pajisur me shkresa të lëndës. Kurse, ajo e 5 marsit 2024 kishte dështuar në mungesë të të akuzuarit Premton Iberdemaj.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 24 dhjetor 2015, Premton Iberdemaj, Ylli Hoxha, Uran Hasani, Arbër Kaqorraj dhe Armend Loshaj akuzohen se më 12 tetor 2015, kanë marrë pjesë në turmën e mbledhur dhe kishin gjuajtur me gurë dhe gjësende të forta në drejtim të policisë, të cilët kishin qenë duke parandaluar rrezikun ndaj qytetarëve dhe duke mbajtur rendin dhe qetësinë publike.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit kishin ndezur kontejnerët e mbeturinave dhe i kishin zhvendosur për gjatë rrugës, pastaj kontejnerët e ndezur i kishin shtyrë në drejtim të kordonëve policore, kishin hedhur koktej të molotovit, ku kishin vënë zjarrin automjeteve zyrtare, kishin gjuajtur gurë dhe gjësende të forta në drejtim të Stacionit Policor Qendra, kishin thyer xhamat e dritareve, kishin dëmtuar kornizat e dritareve, kishin dëmtuar inventarin brenda zyrave, si dhe kishin dëmtuar fasadën e këtij objekti.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit kishin djegur një automjet zyrtar dhe kishin dëmtuar 7 automjete zyrtare, si dhe u kishin shkaktuar lëndime të rënda trupore zyrtarëve policorë Pajtim Kryeziu dhe Fahredin Veliu dhe i kishin shkaktuar dëm në vlerë prej 20 mijë euro institucioneve si: Stacionit Policor Qendra, Zyrës së Prokurorit Disiplinor, KQZ-së, Selisë së PDK-së dhe KRM ”Pastrimi”, në Prishtinë.

Me këto veprime, Prokuroria i ngarkon të akuzuarit se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”, nga neni 412, par.1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme